Kombetarja

Polonia, Santos dhe Bednarek i druhen Shqipërisë: Do jetë ndeshje e luftuar

Gazeta Si – Polonia i nisi shumë keq kualifikueset, duke u mundur 3-1 nga Çekia. Skuadra është kritikuar dhe tani të gjithë presin reagimin të hënën ndaj Shqipërisë. Trajneri Fernando Santos doli sot në konferencë shtypi bashkë me mbrojtësin Jan Bednarek, i cili i njeh mirë kuqezinjtë.

Që të dy kanë folur për një ndeshje të vështirë me Shqipërinë, por presin fitoren e parë në grup. “Ne duam të tregojmë atë që i karakterizon polakët, sakrificën dhe aftësinë për të bërë gjëra të mëdha.

Shqipërinë e respektojmë shumë, por këtu jemi ne të zotët e shtëpisë. Kam parë dy ndeshjet që Polonia ka luajtur me Shqipërinë në kualifikueset e shkuara. Rezultati 4-1 në Poloni nuk mund të na mashtrojë. Nëse jemi të fokusuar, kemi cilësinë për të shmangur problemet. Duhet të zotërojmë topin dhe lojën, duhet të zbresim në fushë me besim ndaj Shqipërisë”, - tha Santos.

Jan Bednarek. Gazeta Si, 26 mars 2023

Mbrojtësi Bednarek, që ka lënë pas dëmtimin, ka theksuar: “Jemi profesionistë, jemi gati për Shqipërinë pas humbjes me Çekinë. E kemi përgatitur ndeshjen me gjakftohtësi. Polonia di të krijojë raste, të shënojë dhe të gëzojë tifozët.

E njohim Shqipërinë nga kualifikueset e mëparshme, e dimë sa të vështira ishin dy ndeshjet me të. Ishin ndeshje fizike dhe të luftara. Duhet të jemi të përgatitur në këtë aspekt, ndërkohë që kemi kualitet për të fituar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë