Futboll

Polonia refuzon të luajë ndaj Rusisë, ‘Leva’: S’mund të bëjmë sikur s’po ndodh asgjë

Federata Polake e Futbollit ka bërë me dije se nuk do ta luajë takimin e 24 marist në Moskë, pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

"Mjaft me fjalë, është koha të reagojmë!”. Kështu Polonia ka njoftuar se nuk do ta luajë ndeshjen e ‘play-off’-it për kualifikueset e Botërorit të Katarit kundër Rusisë, e programuar për më 24 mars në Moskë. Federata polake ka vendosur të protestojë në mënyrë konkrete pas futjes së trupave ruse në Ukrainë, duke vënë në rrezik kualifikimin e saj për në Botëror.

Presidenti i federatës, Cezary Kulesza, në Tuiter ka shkruar: “Ky është i vetmi vendim korrekt". Polonia, që më parë u angazhua për të përfshirë edhe vende të tjera në bojkotimin sportiv të Rusisë, po bashkëpunon me federatat suedeze dhe çeke për të paraqitur një qëndrim të përbashkët në FIFA.

Vendimi ka gjetur mbështetjen e yllit të skuadrës polake, Robert Levandovski, kapiten dhe lider i saj. "Është vendimi i duhur. Nuk arrij ta imagjinoj të luaj një ndeshje ndaj Rusisë, ndërkohë që agresioni i armatosur në Ukrainë vazhdon. Lojtarët dhe tifozët rusë nuk kanë faj për këtë, por nuk mund të bëjmë sikur asgjë nuk ka ndodhur", - ka shkruar sulmuesi i Bajernit në Tuiter.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë