Irena Beqiraj

Politika e Dividendit dhe dy fjalë për politikanët Majtas e Djathtas


Kush ka studiuar Ekonomi ose më thjeshtë Financë Korporatash, ka dëgjuar për një nga politikat më të rëndësishme të menaxhimit financiar që është Politika e Dividendit. Vlera e aksioneve të kompanisë varet shumë edhe nga Politika e Dividendit. Pra vlera e aksioneve varet edhe nga vendimi i Drejtimit të kompanisë, për momentin e shpërndarjes dhe sasinë e dividendit.

Kush ka konceptet baze në financë, e di që karakteristika bazë e dividendit është fakti që është i akumulueshëm . E thënë ndryshe, nuk është kusht të paguhet vit për vit, por mund të paguhet një herë në N vite. Kjo vendimmarrje, varet nga planet e investimit të kompanisë por edhe nga sinjalet që një kompani kërkon të çojë në tregun e aksioneve.

Kush ka konceptet bazë në taksim, e di që e ardhura personale siç është dividendi, tatohet kur fitohet. Pra pavarësisht kur është realizuar e ardhura, tatimi paguhet kur merret vendimi i shpërndarjes ose kur aksionerit i lind e drejta për ta tërhequr atë si të ardhur.

Dëgjoj një pjesë juristësh që e proklamojnë nenin 38 të dispozitave tranzitore në ndryshimet e fundit, si amnisti me fuqi prapavepruese. Në fakt nuk është e tillë! Por një degë, ku të lëkundin akuzat e tyre, e kanë.
Në fakt paqartësitë rrjedhin nga ligji arkaik i tatimit mbi të ardhurat që daton më ’98. Dhe pikërisht nga neni 33/3, tek i cili përdoren në mënyrë të paqartë konceptet “kapital”, “fitim i pashpërndarë” edhe “dividend”.
Ministria e Financave ka vazhduar të ndjekë të njëjtat përcaktime të paqarta e të vjetruara të nenit 33/3 të tatimit të të ardhurave edhe në ndryshimet e miratuara së fundmi.

Fitimi i pashpërndarë i akumuluar, mund të qëndrojë i tillë në pritje për t’u shpërndarë në një moment të dytë, për sa kohë që nuk është vendosur nga drejtimi i kompanisë të rrisë kapitalin e nënshkruar të kompanisë. Fitimi i pashpërndarë i pakapitalizuar MUND të shpërndahet dividend në çdo kohë, duke iu nënshtruar tatimit të dividendit në momentin e shpërndarjes dhe jo të realizimit të të ardhurës. Këtu nuk ka amnisti dhe aq më pak fuqi prapavepruese.

Parimet e financës edhe të taksimit duhet të lejojnë këtë fleksibilitet në vendimmarrje, i cili u mundëson kompanive të realizojnë planet e tyre të investimit, duke maksimizuar kështu vlerën e aksioneve të tyre.

Nuk ka amnisti, nuk ka as prapaveprim - ka zbatim të përbotshëm të Politikës së Dividendit. Por kur ky parim vendoset të zbatohet si arnim i një ligji të vjetruar, i cili nuk u përgjigjet aspak zhvillimeve të kohës, interpretimi politik i zë vendin arsyetimit racional.
Një projektligj i ri i hartuar në 2015 mbi tatimin e të ardhurave fle në dollapët e Ministrisë pasi mungon kurajoja për të ndryshuar filozofinë në taksimin e të ardhurave, dhe kjo është e dhimbshme.

Jetojmë në botën e teknologjisë edhe robotëve, por taksojmë akoma si në kohën e karrocave.


Copyright © Gazeta “Si”