Lajme

Duar bosh në Lushnjë, policia në kërkim të Julit të Pashakos

Policia është vënë në kërkim të autorëve të tjerë të dyshuar si pjesëmarrës në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, ku ky i fundit mbeti i plagosur së bashku me shtetasin Aleksandër Laho, ndërsa shoferi i prokurorit, Andi Maloku ndërroi jetë.

Zonat ku janë përqëndruar kërkimet e policisë, ku janë angazhuar edhe forcat speciale RENEA dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë janë në Lushnje, Fier dhe Elbasan. Burime policore bëjnë me dije për gazetën “Si” se në kërkim është shtetasi Julian Sulo, njohur ndryshe edhe si Juli i Pashakos.

Përpjekjet e policisë, përfshirë forcat RENEA dhe FNSH për ta kapur autorin në qytetin e Lushnjes, sipas burimeve, kanë dështuar, pasi në momentin që policia ka kontrolluar disa objekte që njiheshin se frekuentoheshin nga Julian Sulo ka dalë prej andej duarbosh. Burimet pohojnë se Sulo dyshohet se është larguar prej të paktën tre ditësh nga Lushnja.

Julian Sulo, në mos pjesëmarrës drejtpërdrejtë në atentatin ndaj prokurorit Ndoja, dyshohet se ka siguruar grabitjen e makinës dhe të targave me të cilën u sulmua prokurori. Aktualisht, policia është duke krehur zonën mes Rrogozhinës dhe Peqinit, ku dyshohet se mund të jetë strehuar ky shtetas.

Sulo njihet si person me precedentë të theksuar kriminalë në të shkuarën dhe për përplasjet me grupin e Aldo Bares në qytetin e Lushnjes. Ai është shoqëruar edhe si i përfshirë në atentatin ndaj nipit të Aldo Bares. Pak javë më parë, një pasuri e konsiderushme e tij u vendos nën sekuestro preventive për dyshimet se buronte nga të ardhura kriminale.

Burimet policore thonë se besohet se numri i personave që janë përfshirë në atenatin ndaj Arjan Ndojas është pesë. Deri më tani, Redjan Rraja është i vetmi i arrestuar për këtë pas provave të ADN-së që policia tha se i siguroi nga një kapuç që gjeti në makinën e padjegur, që mendohet se është përdorur nga autorët.

Rraja mohon akuzën. Pista kryesore që po hetohet në lidhje me atentatin ndaj Ndoja është ajo e pronave në Gjirin e Lalëzit.

Flet Julian Sula: Nuk kam lidhje me personat e përfshirë në atentat

Por në një lidhje të drejpërdrejtë me skype në Abc News, Julian Sula, i shpallur zyrtarisht në kërkim nga Policia për atentatin ndaj Prokurorit Ndoj u shpreh se nuk ka lidhje me asnjë nga personat e përfshirë në atenat.

“Nuk e di se sot erdha, kam qenë vizitë në Turqi se jam keq nga mushkëritë, flas me avokatin i thashë pse më kërkojnë dhe foli avokati me shefin e komisariatit dhe drejtorin dhe ata i thanë nga ne nuk ka gjë. I pyeti pse i keni vajtur kontroll. Unë s’jam as i kërkuar, nuk di pse më lidhin me ngjarjen, sa erdha në shtëpi nga Turqia në Kosovë nga Kosova në shtëpi”, tha ai.

“Në datë 1 kam qenë në Kosovë duke ikur për në Turqi. Nuk di pse mi kanë bërë këto gjëra”, shtoi Sula.

Ai mohon të ketë njohje me Redjan Rrajën, prokurorin Ndoj apo Pëllumb Muharremin.

“Nuk e njoh Redjan Rrajën. Nuk e njoh prokurorin Ndoj. Hera e parë që e dëgjoj. Jo fare as Pëllumb Muharremin”.

Julian Sula  shprehu gatishmërinë për t’u paraqitur në polici që nesër në mëngjes, pasi kjo situatë tha se po shqetëson familjen e tij dhe sidomos vajzën.

“Jam i gatshëm të paraqitem se po dëgjoj lloj-lloj gjërash. Goca me psikolog, me kanë ç’akorduar familjen. Që nesër në mëngjes jam te dera”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë