Kosova

Policia e Kosovës po kryen kontrolle në tri komunat veriore, bastis pronat e Radoiçiç (foto)

Nga Gazeta 'Si'-Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke kryer pesë kontrolle në tri komunat në veri të Kosovës.

Shënjestër e këtyre kontrolleve janë edhe pronat e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiç.

Sipas mediave kosovare, vila e tij që ndodhet në Ujman është duke u bastisur prej orës 6:00 të mëngjesit.

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka kryer kontrolle në rrugën ku ndodhet restoranti Grey, që raportohet se është i gruas së Milan Radoiçiçit nga ku janë sekuestruar disa makina, dy prej të cilave me targa të Beogradi dhe një pa targa fare.

Policia njoftoi se këto operacione janë duke u zhvilluar lidhur me ngjarjet e fundit të ndodhura në fshatin Banjskë.

“Operacioni policor është duke vazhduar nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës, me prezencën në vend ngjarje të Prokurorit (të PSRK-së). Me këtë rast Policia e Kosovës njofton qytetarët se nuk kanë nevojë për ndonjë shqetësim”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Urdhër kontrollet po zbatohen në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in.

Milan Radoiçiç, sipas ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla, ka qenë pjesë e grupit terrorist i cili të dielën që lamë pas vrau një polic në Banjskë të Zveçanit.

Pas këtij rasti, Policia ndërmori një aksion për të neutralizuar këtë grup, i cili ishte strehuar në Manastirin e Banjskës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë