Kosova

Policia e Kosovës aksion në Pejë, Serbia: Po mbyllen komunat paralele që punojnë sipas sistemit serb

Nga Gazeta 'Si' - Prokuroria Themelore në Pejë së bashku me Policinë e Kosovës, janë duke zhvilluar një aksion në disa vendndodhje të rajonit të Pejës, me dyshimet se atje po zhvillohen veprimtari kriminale.

Zyrtarët serbë thanë se ky aksion ka të bëjë me mbylljen e organeve të përkohshme, që punojnë sipas sistemit serb.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, tha për Radion Evropa e Lirë se aksioni po zhvillohet në “disa vendndodhje të cilat gjenden në rajonin e Pejës, Istogut dhe Klinës”.

Pas përfundimit të aksionit, ai u shpreh se do informojnë opinionin për detajet e tij.

Nga pala serbe kanë thënë se aksioni ka të bëjë me mbylljen e komunave, që punojnë sipas sistemit serb.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se Policia e Kosovës po kryen një aksion të madh dhe ka bastisur organet e përkohshme në Pejë, përkatësisht në Gorazhdevc, në Osojan të Istogut.Ai tha se Policia e Kosovës ka hyrë në qendrën mjekësore në Osojan dhe e kanë mbyllur.

Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe tha se kryetarët e organeve të përkohshme janë ndaluar nga Policia e Kosovës për t’u marrë në pyetje.

Shefi i kësaj zyreje, Petar Petkoviç, e cilësoi aksionin policor si “vazhdim të spastrimit etnik” të serbëve që jetojnë në Kosovë. Njoftimi për këtë aksion policor vjen pasi më 26 janar, ministri i Punëve të brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se autoritetet mbyllën katër komuna paralele serbe që po vepronin jashtëligjshëm në qarkun e Dragashit.

Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, posaçërisht në veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i shuar institucionet paralele serbe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë