Ka ndodhur

Polici plagos trafikantin e kokainës në Tiranë, tentoi të godasë efektivët me makinë. Tre të arrestuar (foto)

Gazeta Si - Kryetari i Shoqatës së Transportit Ndërqytetas në Tiranë, Enea Sulejmani, ka mbetur i plagosur me armë zjarri jashtë rrezikut për jetën gjatë një operacioni policor ku u sekuestrua 1 kg kokainë.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e të enjtes, ku Sulejmani ishte shoferi i mjetit tip “Tiguan”, i cili tentoi të shtypte me makinë efektivët e policisë teksa u afruan për t’i arrestuar.

Po ashtu, policia prangosi edhe dy persona të tjerë që ishin në makinë, Shkëlqim Ostreni dhe Igli Begaj.

Antidroga e Tiranës i kishte prej disa muajsh vëzhgim dhe në ndjekje. Tre të rinjtë dyshohen si furnizues kokaine.

Enea Sulejmani, i cili mbeti i plagosur

Nga hetimet paraprake që ka mundur të kryej Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila mbërriti mbrëmë në vendin e ngjarjes për të mbledhur provat, nuk rezulton që efektivët e policisë të kenë bërë shkelje, për shkak se atyre u është rrezikuar jeta.

Sipas policisë, drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrave për të ndaluar dhe ka ecur mbrapsht duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë. Në fillim ai është përplasur me qëllim shmangien e automjetin të policisë. Sipas burimeve, efektivi ka qëlluar më kushtet e vetëmbrojtjes në mënyrë të pavullnetshme.

Një tek plumb i qëlluar ka depërtuar në pjesën e dorezës së derës së anës së shoferit, ka depërtuar brenda dhe e ka kapur Sulejmanin në kofshë.

Enea Sulejmani (majtas), Igli Begaj (në mes) dhe Shkëlqim Ostreni

Tre të arrestuarit dyshohet se ishin furnizues të shpërndarësve të drogës në zonën e Xhamllikut në kryeqytet dhe do të shkëmbenin drogën tek vendi ku u kapën nga agjentët e antidrogës.

Policia e Shtetit njoftoi të enjten se këta persona kishin me vete një kilogram kokainë, të presuar dhe ishte gati për t’u shpërndarë tek përdoruesit dhe klientët e tre trafikantëve.

Në vendngjarje kanë shkuar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Së Shtetit Muhamet Rrumbullaku dhe Drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj.

Pamje nga vendi i ngjarjes 

Për këtë ngjarje ka reaguar edhe Ministri i Brendshëm, Taulant Balla me anë të një postimi në Facebook:

"Ndërsa Policia e Shtetit vijon goditjen e trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike #PaketaeSigurisënëshkolla #Tempulli2 pak momente më parë gjatë një operacioni të njësisë për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, personat e dyshuar për trafikimin e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike në përpjekje për tu larguar kanë rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë së Shtetit. Policia e Shtetit ka vepruar sipas ligjit duke iu kundërpërgjigjur sulmit. Si Ministër i Brendshëm duhet të rikujtoj se kushdo që nuk i bindet urdhërit/thirrjes së ligjshme të punonjësit të policisë, ose më rëndë akoma e kundërshton me forcë, guxon ta fyejë, ta agresojë, ta kanosë, ta godasë apo larg qoftë t’i rrezikojë jetën (siç ndodhi sonte) në ushtrim të detyrës apo për shkak të detyrës, duhet ta ketë të qartë që toleranca është ZERO. Policia e Shtetit ka gjithë mbështetjen për të vijuar goditjen e krimit, në të gjitha format e tij”, - tha Balla.

Kokaina e sekuestruar

Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë