Gazeta Si – Një “agjent i maskuar si qytetar i zakonshëm” – kjo është strategjia më e fundit e trilluar nga Departamenti i Policisë së Dunellen-it, në New Jersey, SHBA, e cila ka çuar në vendosjen e 74 gjobave për drejtuesit e mjeteve që nuk ishin të përqendruar në drejtim.
Ishte një formë jo-konvencionale vëzhgimi, por që e arriti qëllimin: kapjen e drejtuesve që përdornin celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe ndëshkimin e tyre.



Në thelb, një oficer policie u mbulua nga koka te këmbët me gjethe, duke u kamufluar si shkurre. I pajisur vetëm me dylbi, ai vërejti dhjetëra shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor – gjithsej 74 – gjatë vetëm gjashtë orëve shërbim. Departamenti shpjegoi se ideja lindi me qëllim rritjen e sigurisë publike.
Departamenti ua shpjegoi nismën qytetarëve përmes një postimi në Facebook: “A e vutë re ‘shkurren’ tonë sot? Nëse e kishit kokën ulur duke parë telefonin, me gjasë jo! Sot, Departamenti i Policisë së Dunellen-it kreu një operacion për zbatimin e rregullave kundër drejtimit të mjetit me vëmendje të shpërqendruar, në segmentin e North Washington Avenue, pranë fillimit të rrugës”.
Departamenti nuk e zgjodhi rastësisht këtë vendndodhje; është një zonë e gjallë me lëvizje të dendur këmbësorësh: “E zgjodhëm posaçërisht këtë zonë të frekuentuar të qendrës së qytetit – ku kalojnë shumë këmbësorë – për të zbatuar ligjin e Nju-Xhersit lidhur me përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe për të mbrojtur komunitetin tonë. Rezultatet? ‘Vendstrehimi’ ynë ishte tejet i zënë me punë. Brenda gjashtë orësh, lëshuam 74 gjoba për drejtues mjetesh që ishin shpërqendruar nga pajisjet e tyre. Le të shërbejë kjo si një kujtesë: ai mesazh apo njoftim mund të presë. Mbajini sytë te rruga, jo te ekrani!”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje