Kosova

Policë nga Serbia dhe huliganët e Veljko Belivuk të lidhur me Vuçiçin, në sulmin kundër KFOR-it në Zveçan

Në sulmin e një dite më parë në Zveçan të protestuesve serbë me trupat e KFOR-it dhe trupat speciale të policisë së Kosovës kanë marrë pjesë policë të ardhur nga Serbia dhe mbështetës, tifozët huliganë të futbollit të Veljko Belivuk, i cili njihet për lidhjet e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Mediat dhe rrjetet sociale kanë publikuar një foto të një personi që godet egërsisht me shkop forcat e KFOR në Zveçan. Ai është Dragan Smigiçin, një polic serb nga qyteti i Rudares në Serbi. Dragani nuk është shtetas i Kosovës.

Gjithashtu në këtë protestë janë shfaqur njerëz me kapele të zeza dhe me fytyrë të mbuluar që mbanin simbolin e grupit famëkeq të lidhur me Vuçiç. Të gjithë pjesëtarët e këtij grupi kishin veshur kapele identike që mban dhe famëkeqi Veljko Belivuk.

Disa javë më parë New York Times, në një artikull të gazetarit Robert F. Worth përshkruan me detaje krime të kryera nga banda e Veljko Belivukut, kreu i grupit të tifozëve të ekipit të futbollit, Partizani i Beogradit. Ai dhe 29 pjesëtarë të grupit u arrestuan në vitin 2021.

“Në një seancë gjyqësore me dyer të mbyllura Veljko Belivuk tha se banda e tij ishte organizuar ‘për nevojat dhe me urdhër të Aleksandër Vuçiçit’, sipas transkripteve të gjykatës”, thuhet në artikullin e New York Times.

“Ai përshkroi disa nga punët që banda pretendonte se i kishte bërë për qeverinë, si frikësimi i rivalëve politikë” dhe se ishte takuar personalisht edhe me presidentin Vuçiç. Ndërsa artikulli përmend se në një rast Vuçiç kishte kërkuar që të rrihnin dhe shqiptarët.

Zyrtarisht kundër grupit të Veljko Belivukut rëndojnë akuza për krime të ndryshme përfshirë edhe disa krime monstruoze si prerja e gjymtyrëve të viktimave, kryesisht pjesëtarë të grupeve rivale kriminale. Pas masakrimit, pjesët e trupave të gjymtuar, siç njofton artikulli i New York Times, janë hedhur në një makinë për grirje mishi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë