Futboll

Pogba, Lukaku, Korrea: Të gjitha intrigat e orëve të fundit në merkato

Çdo sekondë sjell zhvillime të reja në merkaton europiane të futbollit. Një lëvizje ndikon në një tjetër pasardhëse dhe çdo klub i madh ndjek me vëmendje të madhe atë që ndodh për të arritur objektivin e vet.

Zhoao Kanselo është lojtari më i ri i Mançester Sitit, pritet vetëm zyrtarizimi. Portugezi ka lënë Juventusin për të kaluar në Premier League me ekipin kampion. Trajneri Pep Guardiola e ka dashur gjithmonë dhe për të ka shpenzuar 28 milionë euro, plus brazilianin Danilo, i cili do të luajë me kampionët e Italisë sezonin e ardhshëm. Shtypi spanjoll shkruan se Juventusi kërkon të marrë edhe Pol Pogba, objektivin kryesor të Real Madrid. Spanjollët zbulojnë se Juventusi është gati të sakrifikojë Dibalan, Matuidin dhe 40 milionë euro. Objektiv për sulmin mbetet belgu Romelu Lukaku, një objektiv edhe i Interit, ndërsa Kristiano Ronaldo “voton” për Ikardin bardhezi. Drejtuesit zikaltër dhe ata bardhezi po veprojnë në prapaskenë, kështu që duhet pritur finalja. Në fakt, Interi nuk i përballon dot kërkesat financiare të Mançesterit për Lukakun, ndërsa Juventusi po luan edhe me kartën “Dibala”, i skartuar së fundi edhe nga trajneri Sarri.

Romelu Lukaku, objektiv i Interit dhe Juventusit. Gazeta Si, 6 gusht 2019

Milani është i fiksuar pas argjentinasit Angel Korrea dhe po bën gjithçka për ta veshur kuqezi. Maldini dhe Boban janë në bisedime intensive me Atletiko Madrid për sulmuesin anësor, që konsiderohet një lojtar adapt për trajnerin Xhampaolo. Oferta e Milanit është 40 milionë euro dhe mund të shtohet edhe me 5 milionë euro bonuse, por klubi spanjoll kërkon 55 milionë euro dhe marrëveshja për momentin është ende larg. Modriç mbetet një ëndërr.

Angel Korrea, objektivi kryesor i Milanit. Gazeta Si, 6 gusht 2019

Edhe Roma mbetet aktive në merkato, por ndryshe nga klubet e tjera, verdhekuqtë janë në kërkim të mbrojtësve. Oferta për mbrojtësin belg, Tobi Alderveireld, është rritur në 20 milionë euro dhe tani vendimi i takon Totenhemit dhe lojtarit. Elseid Hysaj duket se edhe sezonin tjetër do të mbetet pjesë e Napolit. Ai u aktivizua nga trajneri Ançeloti në miqësoren me Olimpik Marsejë, edhe pse Roma e ka ende në listë, ashtu si dhe Totenhemi. Napoli dështoi për të marrë kolumbianin Hames Rodriguez dhe tani është hedhur sërish në sulm për meksikanin e PSV-së, Lozano.

Një ljam i bujshëm për merkaton vjen nga Anglia, ku Uejn Runi është gati të lërë kampionatin amerikan dhe të marrë një detyrë të dyfishtë te Derbi Kaunti: trajner dhe lojtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë