Analize

Po dekretin e emërimit të Vorpsit a mundet ta çojë Meta me postë?

Çuditë dhe zgjidhjet alla-shqiptare për të plotësuar me anëtarë Gjykatën Kushtetuese nuk e kanë efektin e shkurtër. Anëtarja e përzgjedhur nga Kuvendi, Arta Vorpsi dorëzoi në Presidencë, Kuvend, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe në Gjykatën Kushtetuese një deklaratë noteriale ku ishte shprehur betimi i saj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Deklarata e noterizuar nga noterja Miranda Xhemalçe, në vetvete bazohet në ligjin për funksionimin e noterisë dhe tek një udhëzim i vitit 2005 i Ministrisë së Drejtësisë për ruajtjen dhe arkivimin e të dhënave dhe akteve noteriale.

Përmes këtyre dy akteve të cituara në deklaratën e noterizuar, në thelb kuptohet se Arta Vorpsi nuk është betuar para noterit, por thjesht ka noterizuar një deklaratë, që në këtë rast është formula e betimit që përcakton Kushtetuta dhe më pas e ka dorëzuar atë tek katër organet e mësipërme.

A është ky akt i vlefshëm sa ta bëjë Arta Vorpsin anëtare të Gjykatës Kushtetuese?

Neni 129 i Kushtetutës thotë se anëtarja e Gjykatës Kushtetuese fillon mandatin vetëm pas betimit para Presidentit. Pala që i intereson që zonja Vorpsi të jetë anëtare mund ta interpretojë deklaratën e noterizuar si një “betimin në distancë me postë, apo korrespondencë”, pa qenë fizikisht me dorën mbi Kushtetutë dhe para Presidentit të Republikës për të përmbushur kushtet e vendosura nenin 129 të Kushtetutës.

Sa i takon vlefshmërisë së aktit, në deklaratën noteriale të Arta Vorpsit citohet pika ë) e nenit 62 të ligjit për noterinë, në kapitullin për kompetencat, të drejtat, përgjegjësitë dhe detyrat. Kjo pikë thotë shprehimisht: “…(Noteri) legalizon nënshkrimet e shtetasve të vëna në dokumente të ndryshme”.

Bazuar në këtë pikë, edhe Dhoma e Noterëve, përmes kryetares Mimoza Sadushi e vlerësoi si plotësisht të ligjshëm këtë akt.

“Noterja ka bërë vetëm detyrën. Çdo qytetar që paraqitet në zyrën e noterit me vullnetin e tij, noteri është i detyruar t’i marrë deklarimin. Kjo është e ligjshme. Nëse ky veprim është i barazvlevshëm si para Presidentit për këtë nuk shprehem dot. Le ta zgjidhin institucionet”, thotë Sadushi, duke iu shmangur debatit nëse deklarata noteriale zëvendëson Presidentin Ilir Meta, apo jo.

Por, në të njëjtin ligj parashikohen edhe veprimet dhe aktet noteriale të pavlefshme dhe rastet e pavlefshmërisë. Pika a) e nenit 137 përcakton si veprime dhe akte noteriale të pavlefshme kur “kryerja e tyre është kompetencë e një organi tjetër shtetëror”.

Për ta rrëzuar këtë akt noterial, që këtë të enjte trazoi politikën dhe shkaktoi jo pak ironi nëpër rrjetet sociale, neni 138 përcakton se pavlefshmëria e një akti, apo veprimi noterial kërkohet nga persona që kanë marrë pjesë në hartimin e tij dhe nga çdo person që heq të drejta, e merr përsipër detyrime prej këtyre akteve. Kërkesa bëhet në gjykatën e rrethit gjyqësor në territorin e së cilës ndodhet zyra e noterisë që ka lëshuar këtë akt.

Që ky akt të rrëzohej ka dy mënyra, ose Arta Vorpsi si personazh kryesor, apo noterja Miranda Xhemalçe të ngrenë pretendime kundër vetes, ose Presidenti. Rasti i parë nëse ndodh, do të ishte çudia më e madhe në këtë vend. Rasti i dytë i takon Presidentit, që si institucion të ankimojë deklaratën noteriale “të betimit” ta ankimojë në Gjykatën e Tiranës, që dhe kjo është një çudi më vete dhe jashtë kostumit të Ilir Metës si President.

Ndaj e vetmi mundësi që ky proces të jetë “legjitim”, Ilir Metës ndoshta i takon që t’ia nis po me postë Arta Vorpsit dekretin e miratimit, të noterizuar sigurisht. Edhe nëse Presidenti për një moment pranon gjithçka që maxhoranca i thotë se e ka bërë gabim, do të bëjë një gabim tjetër, sepse nuk është ai që as delegon e as zgjedh dot një notere për president.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë