Nga Gazeta ‘Si’- Ministria e Jashtme ka reaguar pas publikimit të një mesazhi nga deputetët të PD-së, ku sipas tyre, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha, në një komunikim në rrjetet sociale, i ka cilësuar “idiotë” shqiptarët e Maqedonisë.
Sipas zëdhënësit të MEPJ, mesazhet e publikuara nga demokratët janë të pavërteta dhe të fabrikuara.
“Për publikimet e shpërndara sot në mediat sociale, të cilat pretendojnë të paraqesin komunikime të brendshme, por që në fakt janë të pavërteta. Ato nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Komunikimi i servirur publikut është i paqenë. Është për të ardhur keq që pretendime të tilla fabrikohen dhe më pas amplifikohen nga aktorë politikë në vend”, shprehet ai.
Më tej, ai shprehet se kjo nuk është hera e parë që në arenën publike hidhen pretendime se “anëtarë të shërbimit të jashtëm gjoja shkelin betimin e tyre.”
MESAZHI I PUBLIKUAR NGA PD
Ishte fillimisht kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, ai i cili ka reaguar ashpër ndaj një mesazhi në whatsapp që mendohet se i përket ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, duke e cilësuar atë si “skandaloze dhe fyese” ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Në një komunikim në një grup whatsapp, pretendohet se Hoxha është shprehur me një fjali me përmbajtje fyese ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke thënë: “Po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë?
Mesazhi vjen në kontekstin e një diskutimi ku përmendet edhe një shkrim i gazetës “Nova Makedonija” lidhur me një deklaratë të kryeministrit Edi Rama.

Bardhi tha se eshtë e papranueshme dhe e patolerueshme që një zyrtar i lartë publik t’u referohet shqiptarëve si “idiotë”.
Një qëndrim i tillë sipas tij e përjashton menjëherë nga çdo funksion publik dhe e bën të pamundur vijimin e ushtrimit të detyrës.
“Ferit Hoxha duhet të japë menjëherë dorëheqjen. Çdo vonesë është e pajustifikueshme. Kryeministri ka detyrimin politik dhe institucional ta shkarkojë pa asnjë hezitim dhe të distancohet publikisht dhe qartë nga kjo gjuhë fyese dhe e papranueshme, që të kujton retorika të errëta të së kaluarës kundër shqiptarëve”, tha Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje