Kombetarja

Plotësohet grupi, sot të gjithë në dispozicion të trajnerit Silvinjo

Gazeta Si – Kuqezinjtë zhvilluan sot seancën e dytë stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet kualifikuese me Moldavinë dhe Ishujt Faroe.

Në këtë seancë kanë marrë pjesë të gjithë lojtarët, duke përfshirë edhe ata që mbërritën në grumbullim mbrëmjen e së hënës, si Mario Mitaj, Etrit Berisha, Elhan Kastrati, Mirlind Daku dhe Jon Mersinaj.

Me ngarkesë është stërvitur edhe mesfushori Kristjan Asllani, i cili vjen nga një dëmtim. Trajneri Silvinjo dhe stafi i tij provuan disa skema loje. Kombëtarja do të zhvillojë edhe një seancë të mërkurën, ndërsa të enjten do të niset drejt Moldavisë.

Ndeshja me Moldavinë zhvillohet në stadiumin “Zimbru”, më 17 nëntor. Tri ditë më pas luhet edhe ndeshja e fundit ndaj Ishujve Faroe në “Air Albania”. Shqipërisë i mjafton një pikë në këto ndeshje për të siguruar kualifikimin në Gjermani 2024.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë