Futboll

Platini në pranga, akuzohet se i dha Katarit Botërorin 2022

Ish-presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, është ndaluar dje nga policia në Paris, pasi akuzohet për korrupsion. Ai dyshohet se ka ndikuar drejtpërdrejt në përzgjedhjen e Katarit si vendi organizator i Botërorit 2022.

Platini është shoqëruar nga policia dje në mëngjes në Nanterre (Paris). Vendimi për arrestimin e ish-presidentit është marrë në kuadrin e hetimeve që po kryen për Kupën e Botës “Katar 2022”. Sipas “Mediapart”, Platini është shoqëruar në zyrën antikorrupsion të policisë gjyqësore. Hetimet lidhen me periudhën 2007-2015, kur Platini ka qenë në krye të UEFA-s, organizimit që drejton futbollin europian. Që në momentin kur Katari fitoi të drejtën për të organizuar Kupën e Botës në vitin 2022, ka pasur dyshime se vendimi ka qenë i ndikuar nga faktorë të tjerë dhe se nuk janë respektuar rregullat e garës.

Vendimin përfundimtar e mori Blater, president i FIFA-s në atë kohë, por ishte një vendim që u pasua nga denoncime të ndryshme. Pati hetime dhe arrestime, që trazuan botën e futbollit deri në ndryshimin e drejtuesve në organizmat më të lartë të këtij sporti. Xhani Infantino u zgjodh në postin më të lartë të futbollit botëror. Platini u përfshi indirekt në atë skandal, me akuzën se ishte paguar në mënyrë të jashtëligjshme nga Blater me shumën e 2 milionë frangave zvicerane. Për këtë arsye, Platini u dënua me 8 vite jashtë aktiviteteve futbollistike, që më pas u reduktuan në 4. Ky dënim skadon në tetor të këtij viti. Në vitin 2015 francezi la UEFA-n dhe vendin e tij e mori slloveni Ceferin.

Platini dhe Blater

Hetimi në lidhje me Botërorin 2022 ka nisur në vitin 2016 nga Prokuroria franceze me akuzën "korrupsion aktiv dhe pasiv të personit që nuk ka funksione publike". Në qendër të hetimit është një drekë e shtruar rreth 10 ditë para se Katari të fitonte të drejtën për organizimin e Botërorit. Në atë drekë merrnin pjesë presidenti i atëhershëm i Francës, Sarkozi, Platini, emiri i Katarit Tamim bin Hamad al-Thani dhe sheiku Hamad bin Jasem, në atë kohë kryeministër dhe ministër i jashtëm. Të pranishëm ishin po ashtu Sofi Dion, këshilltare e Sarkozi për sportin, dhe Klod Gueant, në atë kohë sekretar i përgjithshëm i Elizeut, edhe ata të thirrur nga zyra antikorrupsion e policisë gjyqësore.

Platini është dëgjuar si dëshmitar në dhjetor të 2017-ës, kur ai ka bërë të ditur se si në vitin 2010 kishte shkuar në Katar. "E dija që do të shkoja në Katar para asaj dreke, kisha shkuar t’ia bëja të ditur edhe presidentit Sarkozi. Telefonova edhe Blaterin për t’i folur për atë takim”, - ka thënë Platini për “Le Monde”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë