Futboll

Platini denoncon presidentin e FIFA-s Infantino, i ofroi rushfet prokurorit zviceran

Gazeta Si - Mishel Platini, ish-president i UEFA-s, me një komunikatë zyrtare, ka bërë me dije se ka denoncuar Xhani Infantinon, presidentin aktual të FIFA-s, për veprime të paligjshme, saktësisht për “influencim të paligjshëm”.

Denoncimi është bërë nëntorin e kaluar në Prokurorinë e Parisit dhe nuk ka të bëjë vetëm me Infantinon, por edhe me Marko Viliger, ish-drejtor i zyrës ligjore për llogari të FIFA-s, si bashkëpunëtor në këto veprime.

Mishel Platini, ish-president i UEFA-s. Gazeta Si, 6 prill 2022

Nga sa është mësuar, denoncimi i Platini lidhet me hetimin që po vazhdon në Zvicër për të hedhur dritë mbi tre takime sekrete që janë bërë mes 2016-ës dhe 2017-ës midis Infantinos dhe ish-Prokurorit të përgjithshëm zviceran, Mikael Lauber, i cili kishte detyrën të drejtonte hetimet për FIFA-n për periudhën 2015-2019.

“Influencimi i paligjshëm” është një vepër penale, e kryer nga persona që premtojnë rushfet në vlerë monetare apo avantazhe të tjera, duke shfrytëzuar lidhjet zyrtare, ose detyrën e shërbimit publik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë