Kombetarja

Plani i masave për Shqipëri-Turqi, tifozët 4 orë para në stadium!

Në qytetin e Shkodrës zhvillohet nesër ndeshja Shqipëri-Turqi, e vlefshme për eliminatoret e Euro 2020. Është ndeshja e parë në grup dhe interesimi i tifozëve është mjaft i madh për të qenë në stadiumin “Loro Boriçi”. Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër kanë bërë të ditur planin e masave teknike dhe organizative për këtë ndeshje.

Në njoftimin zyrtar të policisë jepen detaje të hollësishme për segmentet e rrugëve të bllokuara në qytetin e Shkodrës në orare të ndryshme, si dhe të rrugëve ku do të ketë kufizim të qarkullimit të automjeteve. Në këtë njoftim saktësohen edhe vendet, ku nuk lejohet parkimi i makinave, në mënyrë që të mos krijohet konfuzion pranë stadiumit “Loro Boriçi”. Tifozët që janë pajisur me biletën e ndeshjes, duhet të kenë me vete edhe një mjet identifikimi. Hyrja e tifozëve nis që në orën 17:00, pra gati 4 orë para nisjes së ndeshjes. Kontrollet e policisë do të jenë të rrepta dhe tifozëve u ndalohen mjetet e forta, sendet metalike, fishekzjarret, monedhat, por edhe boritë.

Tifozët kuqezi në stadiumin "Loro Boriçi"

Sipas policisë, ndalohet parkimi i automjeteve në rrugën “B. Bishanaku” dhe degëzimet e saj, në rrugën “Zyhdi Repishti”, në rrugën e tregut industrial, nga ora 10:00 deri në orën 24:00. Gjatë pasdites do të ketë kufizim të lëvizjes së automjeteve në orët e pasdites deri pas ndeshjes në segmentet Xhabije-Parrucë, Sheshi 2 Prilli-Parrucë, Kryqëzimi i ish-degës-ish 5-Heronjtë, Kryqëzimi i Rusit-Ish 5-Heronjtë. Policia njofton edhe administratorët e bizneseve pranë stadiumit “Loro Boriçi” të jenë mirëkuptues dhe t’i mbyllin aktivitetet e tyre prej orës 14:00.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë