Ana e errët

Plani i grabitjes së ‘sirianit’ shkoi keq, banda e të rinjve sulmoi një tjetër: Jam i antidrogës

Gazeta Si - Plani i disa të rinjve për të grabitur një person që njihej si “siriani” në një prej zonave më të populluara të Tiranës, ka dështuar në mënyrën më të keqe.

Policia arrestoi dy ditë më parë në kuadër të operacionit "Escape", R.Th., 23 vjeç dhe S.O., 19 vjeç, ndërkohë që janë shpallur në kërkim bashkëpunëtorët e tyre të dyshuar, M.F., dhe E.S.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e 8 gushtit pranë “Komunës së Parisit”, ku 23-vjeçarit K.Z., i grabitën 1.450 euro, celularin dhe biçikletën nën kërcënimin e armës.

Banda e të rinjve në fakt, kishte si objektiv grabitjen e një personi tjetër, që thirrej ndryshe “siriani”. Por ata e kanë përdorur K.Z., si karrem për të nxjerrë nga shtëpia personin për të cilin kishin thurur planin.

“Jam i antidrogës, ku i ke lekët”, mësohet t’i ketë thënë një nga autorët të riut, i cili edhe pse ka tentuar të largohet me vrap është kapur. Ata më pas e kanë dhunuar dhe i kanë marrë çantën, ku mbante një shumë të konsiderueshme parash.

Siç pasqyrohet edhe në dëshmitë e dy të arrestuarve, si edhe personit të grabitur, katër të rinjtë që rrinin në rrugën “Hysen Xhura” në Tiranë, kishin informacion se një i ri, i quajtur “siriani”, kishte para.

Të rinjtë të ndarë në dy grupe kanë lënë takim pranë një qendre tregtare për të vijuar planin e grabitjes. Ndërkohë që prisnin aty, në rrugë ka kaluar një tjetër i ri, që njihej me objektivin e tyre.

Katër grabitësit e kanë marrë me forcë të riun dhe i kanë thënë që t’i çonte te shtëpia e “sirianit”.

Kur kanë shkuar atje, sipas dëshmisë së të arrestuarve, ky i fundit ka dalë me thikë në dorë, ndërkohë që i riu i marrë peng prej grabitësve është larguar me vrap.

Në këtë moment, grabitësit kanë lënë “sirianin” dhe i janë sulur të riut që iku me vrap duke i marrë biçikletën dhe çantën ku kishte 1450 euro.

Në dëshminë e tij, viktima K.Z., ka thënë se sapo ka dalë nga puna e ka ndaluar S.O., bashkë me një tjetër dhe e kanë kërcënuar me armë

“S.O., më kërkoi paratë dhe më tha që është i antidrogës, shkojmë te zyra. Nën kërcënimin e armës po më çonin drejt zyrës, pasi nuk i vunë re lekët që kisha në çantë. S., më tha të mos bëj lëvizje të gabuara, se pastaj do të më vriste. Afër zyrës munda të iki, por S., bashkë me 3 të tjerë më dolën para dhe më morën çantën”, ka thënë ai.

Në dosje është edhe dëshmia e njërit prej të arrestuarve, R.Th. Ai ka mohuar që objektivi i grabitjes të ishte K.Z., por një sirian.

“S.O., më tregoi planin për grabitjen e një siriani, më tregoi edhe armën. K.Z., e ndaluam dhe i kërkuam të na tregonte ku rrinte siriani. Më pas, K.Z., na çoi te shtëpia e sirianit, i cili doli me thikë, por ia doli të mbyllte derën. K.Z., na iku, por e kapëm dhe i morëm çantën dhe e goditëm”, ka thënë ai.

Pas kësaj situate, K.Z., ka bërë kallëzim në polici, e cila ka shkuar në zonën ku qëndronin autorët dhe ka arrestuar dy prej tyre, bashkë me sendet e vjedhura dhe një sasi kanabis sativa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë