Kosova

Plani i Albin Kurtit për fuqizimin e Kosovës

Lufta kundër korrupsionit dhe punësimi, vaksinimi i 60 për qind të popullatës kundër COVID-19 brenda një viti, rritja e prodhimit dhe eksportit si dhe fuqizimi i ndërmarrjeve publike do të jenë prioritetet e Albin Kurtit, pas formimit të qeverisë,

Kurti ka thënë se dialogu me Serbinë, nuk është pjesë e prioriteteve të tij dhe madje ka paralajmëruar edhe vendosjen e reciprocitetit ndaj Beogradit zyrtar.

Sipas të dhënave preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura në Kosovë më 14 shkurt, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47,85 për qind të votave, duka dalë partia e parë në këto zgjedhje. Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit, e cila ka nisur më 3 shkurt dhe ka mbaruar më 12 shkurt, lideri i Lëvizjes Vetëvendosj ka prezantuar programin e ardhshëm qeverisës të partisë së tij, duke thënë se do “ta nxjerrë Kosovën nga kriza e shumëfishtë dhe ta vendosin në binarët e progresit”.

Programi qeverisës i Lëvizjes Vetëvendosje, siç ka deklaruar Kurti, do ta ketë në fokus të menjëhershëm përballjen me pandeminë e koronavirusit dhe zbatimin e rekomandimeve të ekspertëve për çdo vendim që do të merret nga institucionet.

Vaksinimi i 60 për qind të popullatës

Kurti ka premtuar se sapo të vijë në pushtet, ndër masat e menjëhershme që do të marrë do të jenë: vaksinimi i së paku 60 për qind të popullatës, sigurimi i qëndrueshëm i mjeteve mbrojtëse, barnave dhe testeve dhe trajnimi i vazhdueshëm i stafit shëndetësor. Ai ka shtuar se do të nisë menjëherë bisedimet me vendet e rajonit, me theks të veçantë Shqipërinë, për luftën e përbashkët ndaj pandemisë. Kurti gjithashtu, ka theksuar se do të bëhen përgatitjet për aplikim dhe anëtarësim të Kosovës në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Rimëkëmbja ekonomike

Kurti ka theksuar se kthimi i jetës ekonomike në normalitet do të jetë prioriteti kryesor në ditët, muajt dhe vitin e parë të qeverisjes së tij.

“Për këtë jemi të gatshëm të ofrojmë një plan ambicioz fiskal”, ka thënë Kurti. Ai ka premtuar një ekonomi ku ka më shumë prodhim dhe eksport, më shumë punëtorë, më shumë kontrata pune dhe më shumë respektim të të drejtave të punëtorit.

Ekonomia që ai synon, duhet të jetë pa monopole, por me ndërmarrje publike si dhe një ekonomi ku fuqizohen komunat në mënyrë që ato të vendosin vetë për prioritetet e tyre. “Për këtë do të krijojmë partneritet të fuqishëm mes pesë shtyllave, ndërmarrjeve, shtetit, sistemit bankar, fondit për garantimin e kredive, si dhe komunitetit të donatorëve dhe i kredi dhënësve ndërkombëtarë”, është shprehur Kurti.

VV-ja ka thënë se mbështetja do të shtohet për të gjitha bizneset që arrijnë të krijojnë qasje në tregjet e reja ndërkombëtare dhe të rrisin eksportet e Kosovës.

Vettingu dhe lufta kundër korrupsionit

Kurti ka premtuar që pjesë e programit të tij qeverisës do të jenë edhe reformat e ashpra në Drejtësi. Siç ka theksuar ai, pjesë integrale dhe e domosdoshme të sistemit e drejtësisë është gjyqësori i pavarur dhe i paanshëm, me integritet dhe efikas.

“Për të arritur këtë, nivelet më të larta hierarkike të sistemit të drejtësisë dhe jo vetëm, do t’i nënshtrohen procesit të Vettingut. Nëpërmjet këtij procesi, do të arrihet integriteti gjyqësor dhe rikthimi i besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, ka thënë Kurti. “Qeveria e jonë do të dëshmojë përkushtim në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në këtë drejtim, do të shtohen kapacitetet njerëzore dhe profesionale në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe të asaj të Apelit”, është shprehur Kurti.

Rivendosje e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë?

Çështja e reciprocitetit me Serbinë, e cila shkaktoi mjaft probleme brenda skenës politike në Kosovë, por edhe në SHBA-në, është paralajmëruar sërish nga Vjosa Osmani dhe Albin Kurti.

Në një debat mediaik dy ditë përpara zgjedhjeve, Osmani deklaroi që “reciprociteti është baza më e shëndoshë e ndërtimit të raporteve, në veçanti e atyre tregtare dhe ekonomike”.

“Natyrisht që ajo që mund të pritet është se ne do të sillemi në mënyrë reciproke për të mbrojtur dinjitetin e shtetit tonë. Për këtë ne do të ulemi me partnerët tanë, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me Bashkimin Europian, për t’i bindur që kjo është rruga e drejtë, për të arritur barazi në raport me Serbinë”, ka thënë Osmani.

Ndërkaq, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje ka paralajmëruar se vendosja e reciprocitetit me Serbinë, do të jetë ndër gjërat e para që do ta bëjë qeveria e tij.

“Është çështje ditësh përpara të vendosim reciprocitetin. Është ndër gjërat e para që do të bëjmë”, ka thënë Kurti.

Marrëdhëniet me SHBA-në

Lidhur me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kurti ka theksuar Kosova nuk do ta rrezikojë kurrë për aq kohë as është ai në detyrë aleancën me SHBA-në. “Nuk mund t’i zëvendësojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me asnjë partner ose aleat tjetër..,të thuash që Amerika na ka ndihmuar, përkrahur e mbështetur është pak”, ka thënë Kurti.

Pa një zhvillim të brendshëm ekonomik të Kosovës, Kurti ka theksuar se nuk do të ketë as marrëveshje me Serbinë. Sipas tij, për aq kohë sa shteti i Kosovës është i dobët, Serbia nuk do ta respektojë asnjë marrëveshje.

“Ne duhet ta forcojmë shtetin tonë. Nuk po them që të mos bisedojmë me Serbinë, por kjo nuk është ndër prioritetet tona”, ka thënë Kurti.

Osmani ka theksuar po ashtu nuk do ta aprovojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pavarësisht këmbënguljes së BE-së dhe Serbisë.

“Asociacioni me kompetenca ekzekutive është po aq i rrezikshëm sa edhe ndryshimi i kufijve. Jo lëvizje do ta destabilizonte Kosovën për një kohë të gjatë. Prandaj duhet të respektohet ajo që ka thënë Gjykata Kushtetuese. Ky skenar duhet të eliminohet”, ka thënë Osmani.

Lidhur me zotimet e nënshkruara nga Kosova në Uashington, më 4 shtator të vitit 2020, pjesë e së cilës është edhe njohja nga Izraeli, Kurti dhe se do të hapë Kosova ambasadë në Jerusalem, por se do të konsultohet edhe me administratën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë