Gazeta Si – Policia ka identifikuar autorin e plagosjes të 26-vjeçarit Kostandin Ziu, i cili u paraqit mbrëmjen e së enjtes në spital me plagë thike në qafë.
Sipas policisë, autori i plagosjes është 22-vjeçari me iniciale Jorgo Rustemi dhe po punohet për kapjen e tij.
Ngjarja raportohet se ka ndodhur pas një konflikti fizik mes dy të rinjve. “Nga hetimet paraprake të kryera dyshohet se shtetasi K. Z., 26 vjeç, është dëmtuar me mjet prerës nga shtetasi J. R., 22 vjeç, gjatë një konflikti fizik”, informuan blutë.
Nga grupi hetimor, mësohet se konflikti mund të ketë nisur mes të plagosurit dhe autorit në prani edhe të një vajze.
Jorgo Rustemi është i njohur për policinë e Korçës pasi është arrestuar në vitin 2020 nën akuzën e shitjes dhe prodhimit të lëndëve narkotike, ku ka vuajtur dënimin në burgun e Drenovës, aty ku është liruar në shtator të vitit 2023, e aty ku është njohur me 26-vjeçarin Kostandin Ziu, i cili deri para dy javësh vuante dënimin për veprën penale të “dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Gjendja e 26-vjeçarit, sipas bluzave të bardha është jashtë rrezikut për jetën, por për shkak të plagës në pjesën e pasme të qafës, ka pasur nevojë për ndërhyrje më të specializuar dhe është transportuar drejt Spitalit të Traumës.
Lidhur me motivin e ngjarjes, aktualisht nuk është përcaktuar shkaku, ndërsa policia po heton në disa pista duke filluar nga një motiv banal, e deri tek një konflikt i mundshëm që mund të ketë nisur në burg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.