Ngjarje

Plagosja me armë e 46-vjeçarit në Bathore, hakmarrja dyshohet si një nga pistat e hetimit

Gazeta Si - Një nga pistat e hetimit për plagosjen me armë të ndodhur mbrëmjen e të enjtes në Bathore, është hakmarrja, sipas burimeve jo zyrtare policore.

Policia e Tiranës akoma nuk i ka identifikuar ende autorët e plagosjes së 46-vjeçarit Agim Hida në kryqëzimin e Bathores.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur 3 gëzhoja, ndërsa Hida ka marrë 2 plumba në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Shënjestra ka qenë i ulur në lokalin aty pranë kur një prej autorëve që lëviznin me motor e qëlluan me armë nga një distancë e afërt, duke e lënë të plagosur.

Policia nuk ka ende një pistë konkrete për ngjarjen, por verifikimet kanë nisur për të kaluarën e vëllait të tij, pasi disa vite më parë është akuzuar se ka kryer një vrasje në zonën e Yzberishtit në Tiranë në vitin 1997.

Vëllai i 46-vjeçarit është Flamur Hida, tek i cili është përqëndruar hetimi për vrajsen e një italiani, Stefano Rossi vite më parë. Megjithatë, sipas hetuesve, në fokus të hetimit është në përgjithësi e kaluara e Flamurit.

Nga ana tjetër, policia po ushtron kontroll në zonat e braktisura dhe pika servisi, me qëllim zbulimin e provave që mund të çojnë tek autorët.

Grupi hetimor pritet të marrë në pyetje 46-vjeçarin Hida për të sqaruar rrethanat dhe që mund t'i ndihmojë në zbulimin e autorëve.

Në komisariatin nr. 5 janë shoqëruar vetëm dëshmitarë okularë dhe persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, por pa dhënë ndihmë në hetime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë