Drejtësia

Plagosi me thikë ish-kryebashkiakun e Divjakës, shkon në gjyq dosja për Orgest Xhelilin

Gazeta Si - Prokuroria e Fierit ka dërguar në gjyq dosjen për Orges Xhelilin, autor i plagosjes së ish-kryebashkiakut Fredi Kokoneshi dhe shoferit të këtij të fundit.

Ai akuzohet për vrasje të funksionarëve publikë të mbetur në tentativë dhe plagosje të rëndë me dashje.

“Ky shtetas, për motive të dobëta ka goditur me armë të ftohtë ish-Kryetarin e Bashkisë Divjakë shtetasin F.K, duke i sjellë dëmtime që kanë qenë të rrezikshme për jetën në çastin e shkaktimit. I pandehuri O. Xh, në të njëjtën kohë ka goditur shtetasin G.B., (shoferi i shtetasit F.K), i cili ka ndërhyrë për të ndaluar sulmin dhe nga goditja ai ka marrë dëmtime të cilat kanë qenë të rrezikshme për jetën në çastin e shkaktimit”, -thotë Prokuroria e Fierit.

Orgest Xhelili e ka pranuar plagosjen e ish-kryebashkiakut Fredi Kokoneshi dhe të shoferit të tij Gazment Bullari. 47-vjeçari ka thënë se ish-kryebashkiaku i Divjakës Fredi Kokoneshi e hoqi padrejtësisht nga puna.

Ngjarja ndodhi gjatë kohës që Kokoneshi kishte dalë për inspektim. Xhelili u afrua dhe e ofendoi, ndërsa më pas debati mes tyre degradoi në përdorimin e thikës nga ana e autorit.

Me agresorin fillimisht u përlesh shoferi Gazmend Bullari për të mbrojtur kryebashkiakun, ndërsa të dy morën plagë në trup.

Orges Xhelili kishte punuar si punonjës IT pranë bashkisë së Divjakës për një periudhë të shkurtër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë