Ngjarje

U plagos nga ish-punonjësi me thikë. Kryetari i Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi i stabilizuar. Në gjendje të rëndë shoferi i tij

Gazeta Si - Fredi Kokoneshi, kryetari i Bashkisë së Divjakës i cili u plagos me thikë në shpatull pas një sherri, është në gjendje të stabilizuar, sipas Spitalit të Traumës. Plagë në bark ka marrë edhe shoferi i tij, Gazmend Bullari, 45 vjeç, i cili ka ndërhyrë për të shmangur sulmin.

Ky i fundit ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Lushnjës, ndërsa Kokoneshi është transportuar te Tauma në Tiranë në gjendje më të stabilizuar.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:30 të mëngjesit pas një debati me Orgest Xhelilin, ish-punonjës IT pranë Bashkisë Divjakë.

Policia thotë se 46-vjeçari Xhelili është arrestuar menjëherë pas ngjarjes si autor i dyshuar dhe është dërguar në komisariat.

Ngjarja paraprakisht dyshohet se ka ndodhur për dy motive të pakonfirmuara nga policia dhe prokuroria. Burimet thanë se Xhelili ishte pushuar nga puna si inxhinier IT në bashki para disa kohësh, ndërsa e shoqja drejtore poliklinike në Divjakë, kishte marrë urdhër transferimi në fshatin Tërbuf.

Gazmend Bullari, shoferi që mbeti i plagosur

Kokoneshi 54 vjeç dhe shoferi i tij Bullari, janë dërguar menjëherë në Spitalin e Lushnjës. Sipas informacioneve paraprake, të dy të plagosurit janë futur me urgjencë në sallën e operacionit. Mjeku kirurg i spitalit të Lushnjës, Sami Osmani tha se dy thikat me të cilat është goditur Kokoneshi, kishin prekur mushkëritë e këtij të fundit. Ndërkohë që shoferit Gzmir Bullari i cili u raportua të jetë në gjendje më të rëndë, tashmë ndodhej jashtë rrezikut për jetën, pavarësisht se thika me të cilën u godit në bark i ka prekur zorrët dhe stomakun.

Pak orë më pas, Kokoneshi ka mbërritur në Spitalin e Traumës në Tiranë për mjekim më të specializuar, edhe pse është në gjendje më të stabilizuar.

Ndërsa shoferi i tij pritet që të dërgohet më vonë në Tiranë, pasi të stabilizohet gjendja e tij shëndetësore. Bullari ka marrë plagë në mushkëri dhe bark dhe gjendja e tij paraqitet kritike.

Në spital kanë mbërritur kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kryetarja e Bashkisë Lushnjë Eriselda Sefa dhe kreu i Bashkisë Fier, Armando Subashi.  

Orgest Xhelili, autori i dyshuar i plagosjes

Në vendngjarje kanë shkuar drejtuesit më të lartë të DVP Fier. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Taulant Balla e vlerësoi ngjarjen sulm kriminal për shkak të detyrës. Në të njëjtën linjë, edhe ish-zv/kryeministri Erion Braçe. Ata i kërkuan medias të bëjnë kujdes në raportimin e fakteve ndërsa e cilësuan ngjarjen sulm kriminal për shkak të detyrës.

Nuk është hera e parë që kryetari i bashkisë së Divjakës është sulmuar për shkak të detyrës së tij. Në korrik të këtij viti, Kokoneshi është dhunuar në mes të qytetit nga 32-vjeçari Dritan Sterkaj. Ka qenë vetë Kokoneshi i cili ka denoncuar se është qëlluar me grusht në fytyrë nga 32-vjeçari.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë