Ngjarje

Plagoset në një atentat kushëriri i ‘Kumbarit’ në Shkodër: Autori ishte i maskuar, nuk e pashë

Gazeta Si – Dedë Pllanaj ka mbetur i plagosur mbrëmjen e të shtunës në një atentat të ndodhur në Shkodër pranë një karburanti, në afërsi të Dobraçit.

60-vjeçari nuk është një person me precendentë penal, por mësohet është djali i xhaxhait të Bardhok Pllanajat, i ekzekutuar një vit më parë në të njëjtën zonë.

Në momentin që i është afruar Dedë Pllanajt, në një distancë prej rreth 3 metrash, autori ka qëlluar duke zbrazur të gjithë karikatorin e pistoletës mbi të.

Plumbat e kanë kapur 60-vjeçarin në këmbë, krah dhe një në brinjë, teksa ai ka qenë i ulur në pikën e karburantit ku punonte prej kohësh.

I plagosuri është dërguar me urgjencë në spital dhe gjendja e tij shëndetësore momentalisht paraqitet e stabilizuar.

I plagosuri mohon konfliktet

Në deklaratën e tij në polici, ai ka pohuar se nuk e di nga kush mund të jetë sulmuar., pasi autori ka qenë i maskuar.

Ai ka treguar se personi që e ka qëlluar ka mbërritur me motoçikletë dhe në kokë mbante kaskë për këtë arsye edhe nuk e ka shquar se kush ishte.

“Isha i ulur tek puna në karburant. Në një moment erdhi një motoçiketë, drejtuesi i saj ishte me kaskë. Zbriti dhe u afrua drejt meje dhe më qëlloi. Nuk ia pashë fytyrën, nuk e di kush ishte”.

Pllanaj ka theksuar se personalisht nuk ka konflikte dhe nuk e di kush mund ta ketë plagosur.

Paraditen e kësaj të diele, i plagosuri është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ndërsa bëhet me dije se e ka kaluar rrezikun për jetën.

Kush është ‘Kumbari’, Bardhok Pllanaj

Më 4 prill të vitit 2021, biznesmeni Bardhok Bllanaj ka mbetur i vrarë si pasojë e një atentati. 40 plumba u shkrehën në drejtim të 46-vjeçarit Pllanaj në Dobraç të Ri në Shkodër.

Në momentin e ekzekutimit, Pllanaj, i njohur si “Kumbari” i drogës, ishte në lëvizje me automjetin e tij. Autorët e kanë ndjekur që pranë Spitalit të Shkodrës ku kishte qenë më herët, ndërsa në 150 metrat e fundit pranë banesës kanë lëvizur paralel dhe është qëlluar me breshëri plumbash kallashnikovi.

7 vite më parë, Bardhok Pllanaj, i dyshuar si trafikant narkotikësh, arriti t’i shpëtonte policisë dhe u fsheh në automjetin e ish-deputetit Mark Frroku.

I njohur ndryshe si “Kumbari” i Shkodrës, Pllanaj mbahej në vëzhgim prej disa kohësh si i përfshirë në trafik droge për llogari të operacionit “Lugina Vilunit”, ku u sekuestruan rreth 804 kg drogë e lloji kanabis në momentin kur po tentohej të trafikohej drejt Italisë me gomone.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë