Ka ndodhur

Plagoset me armë zjarri 34-vjeçari shqiptar në Greqi, policia i jep ndihmën e parë

Gazeta Si - Një 34-vjeçar shqiptar në Greqi është plagosur me armë zjarri nga persona të paidentifikuar. Ngjarja ka ndodhur në Athinë rreth orës 04:00 të mëngjesit të kësaj të premteje në zonën e Votanikos.

Pasi është plagosur, policia i ka dhënë ndihmën e parë në pritje të ambulancës që e transportoi në spital.

Sipas mediave greke, ndihma e shpejtë e dhënë nga forcat e policisë ka qenë vendimtare për shpëtimin e jetës së 34-vjeçarit.

Sipas autoriteteve greke, autorët kanë qenë duke lëvizur me makinë kur qëlluan 3 herë me pistoletë në drejtim të 34-vjeçarit shqiptar.

Në vendngjarje u gjetën 3 gëzhoja 9 milimetërshe. 34-vjeçari ndodhet në spital ku po merr ndihmë mjekësore.

Shqiptari i plagosur ka qenë i arrestuar në vitin 2019 për një çështje droge, por autoritetet greke nuk kanë raste të përfshirjes së tij në aktivitete të tjera të paligjshme përveç rastit të 4 viteve më parë.

Hetuesit po analizojnë kamerat e sigurisë në zonë si dhe do të marrin dëshminë në spital të 34-vjeçarit shqiptar pasi gjendja e tij të jetë stabilizuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë