Futboll

Pistë e re në merkato, Hysaj drejt Interit

Çdo ditë ka lajme të reja për Elseid Hysajn. Një herë për pakënaqësinë që ai ka me ambientin napolitan dhe trajnerin Ançeloti dhe një herë tjetër për ekipet e interesuara për të. Këtë herë ekipi që interesohet për mbrojtësin kuqezi sipas medieve në Itali, është Inter. “Calciomercato” shkruan në se drejtuesit e Interit kanë mbetur të pakënaqur nga forma e Versalijko dhe se për këtë arsye po shikohen alternativa të tjera. Një nga alternativat më të pëlqyera për Ausilion dhe Bepe Marotën është emri i Elseid Hysajt.

Kroati Sime Verslijko është te Inter në formën e huazimit me të drejtë blerje nëse drejtuesit zikaltër do të jenë të bindur nga forma e tij. Me formulën e tij Inter ka tre lojtarë, Versalijkon, Politanon dhe Keita Balde. Sipas medieve italiane mes të treve, në qershor mundësitë financiare do të jenë për të blerë vetëm për dy. Deri më tani nga këta të tre, më pak mundësi për të qëndruar te Inter ka pikërisht, Versalijko. Kroati në pjesën e parë të sezonit ka vuajtur nga shumë dëmtime dhe në ato raste që ka zbritur në fushë ka qenë jashtë forme dhe ka lënë shumë për të dëshiruar. Inter deri tani i ka paguar 6 milionë euro për huazimin dhe rrogën e mbrojtësit kroat. Të gjendur në këtë situatë, Inter në qershor do të futet sërish në merkato për një mbrojtës të djathtë.

Elseid Hysaj shikohet si emri më i përshtatshëm për të mbuluar këtë rol për disa arsye. E para ka të bëjë me aftësinë e futbollistit shqiptar, i cili në raste nevoje mund të ndryshojë krahë dhe të luaj edhe në të majtin. Kjo është një aftësi që trajnerit Luçiano Spaleti i pëlqen shumë dhe ai e kërkon nga lojtarët e tij, që minimalisht të luajnë në dy pozicione të ndryshme dhe të jenë të gatshëm për të skema të reja që ai mund të provojë gjatë një ndeshje.

Arsye për të mos u nënvlerësuar që e shtyn Interin drejt Hysajt është edhe çmimi i tij. Vërtet 40 milionë euro, që kërkon De Laurentis nuk janë pak, por nëse do e krahasonim këtë shifër, me 70 apo 80 milionë eurot që kërkohen lojtarët e tjerë që mbulojnë këtë pozicion, atëherë Inter mund të ndjehet se me Hysajn po kursen. Inter mund ta ulë akoma dhe më shumë këtë shumë, nëse në tratativë do të përfshijë ndonjë lojtarë të ri që mund t’i bëjë punë Ançelotit, por duke mos përsëritur gabimin që bëri me Zaniolon.

Një tjetër faktor që afron Hysajn me Interin është edhe elementi përshtatje. Si për Hysajn dhe klubin zikaltër do të duhej shumë pak kohë për t’u njohur siç duhet. Eksperienca e mbrojtësit kuqezi në Serinë A bën që ta pranojë më lehtë këtë ndryshim, duke e krahasuar me një kalim në Premier Ligë, apo në një kampionat tjetër europian.
Sipas “Calciomercato” kalimi i Hysaj te Inter mund të kompletohej vetëm në verë, pasi një lëvizje e tillë nuk mund të bëhet gjatë këtij sesioni merkatoje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë