Shendet

‘Pirola’ ka mbërritur në Itali. Çfarë dimë për variantin më të ri të Covid

“Varianti BA.2.86, i riemërtuar Pirola, ka hyrë tashmë në Itali dhe ka gjithë terrenin e përshtatshëm për të zëvendësuar variantet që po qarkullojnë më shumë, duke zëvendësuar variantin Eris (EG5) aktualisht dominues, por jo, nuk ka asnjë provë që është një variant më patogjen apo më agresiv se të mëparshmit”, shpjegon Arnaldo Caruso, president i Shoqatës Italiane të Virologjisë (Siv-Isv), i cili me ekipin e tij në Brescia izoloi për herë të parë Pirola-n.

Ai tha se tashmë në vend po studiohen mutacionet për të kuptuar nëse ky variant mund të anashkalojë vaksinat.

Identikiti i variantit Pirola

Varianti BA.2.86 (Pirola) ndan numrin e lartë të mutacioneve me Omicron, mbi 35 dhe kjo karakteristikë shkaktoi alarmin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë e cila e përfshiu menjëherë në variantet nën monitorim. Vaksina e re e përditësuar anti-Covid e Pfizer e përshtatur me nënvariantin Omicron XBB.1.5 (Kraken) pritet, siç thuhet nga Agjencia Evropiane e Barnave EMA, të kontribuojë në ruajtjen e mbrojtjes optimale kundër Covid të shkaktuar edhe nga variante të tjera njësoj si Pirola. Megjithatë, dy studime të kryera së fundmi në mënyrë të pavarur në Universitetin e Pekinit dhe Institutin Karolinska në Stokholm kanë zbuluar se ky variant nuk është një rrezik i madh. Edhe nëse Pirola është në gjendje të shmangë përgjigjen imune, është më pak ngjitës se variantet e tjera aktualisht në qarkullim. Sipas dy studimeve, BA.2.86 është në gjendje t'i shpëtojë imunitetit të zhvilluar me infeksionet e mëparshme ose me vaksinën, megjithatë tek ata që kanë marrë infeksione së fundmi përgjigja imune nuk është plotësisht e paefektshme. Jo më pak i rëndësishëm është fakti që varianti, sipas studimeve, nuk ka një aftësi të madhe përhapjeje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë