Ekspozite

Piktura e pikturës së pikturës, në pikturën…Reaksioni zinxhir që po çmend rrjetin 

“Sa më i madh artisti, aq më i madh dyshimi. Vetëbesimi i përkryer u jepet më pak të talentuarave si një çmim ngushëllimi”, thoshte  kritiku i artit Robert Hughes. Artistët e mëdhenj priren ta jetojnë jetën duke notuar në një oqean të gjerë vetë-dyshimi. Është ajo përzierje e veçantë pasigurie dhe perfeksionimi,  që furnizon dëshirën për të mprehur talentin dhe për t’u përmirësuar në secilën vepër.

Por ai dyshim mund të jetë edhe paralizues dhe t’i pengojë artistët potencialë të marrin penën, penelin apo kitarën...

Për  t’i dhënë zemër së ëmës që të vazhdonte me artin e saj, përdoruesi i rrjetit social Reddit, i njohur si “Gaddafo” ndau një fotografi të së ëmës, Cindi Decker-it, një mësuese shkolle, e cila mbante një pikturë të këndshme të një çafke, që e kishte pikturuar vetë.

“Mamaja ime ka pikturuar këtë dhe tha se askush nuk do ta pëlqente. Është piktura e saj e dytë”, shkruante ai. Më pas, përdoruesi i Reddit, “Cacahahadoodoo” i kërkoi forumit ta çonin këtë postim një hap më tej. “Dikush të pikturojë foton e mamasë së tij që mban pikturën e saj dhe ta ripostojë me të njëjtin titull për ekstra, ekstra karmë”, shkruante ai. Karma është një shpërblim i fituar për postimin e përmbajtjeve popullore, në forumin online.

Përdoruesi i Reddit, njohur si  “u/k__z” e mori përsipër detyrën dhe pikturoi zonjën Decker,  që mbante pikturën e saj në dorë. Më pas, “lillyofthenight’ i çoi gjërat më tej,  duke pikturuar një pikturë të djalit që njihej si  “u/k__z “, i cili mbante në dorë pikturën e tij me zonjën Decker, e cila mbante pikturën e çafkës.  “M’u desh pak kohë dhe nuk është e përkryer, por e pikturova djalin që piktori mamanë e djalit tjetër” shkruante ajo.

Më pas, një tjetër përdorues, me nofkën “seamusywray”, dha kontributin e tij dhe gjërat nisën të bëheshin vërtet të çuditshme. “Pikturova vajzën, që pikturoi djalin, që pikturoi mamanë e atij djalit tjetër, që pikturoi çafkën”, shkruante ai.

Kjo ndezi një reaksion zinxhir, që nisi të njihet si  “paintception”, huazuar nga filmi i famshëm me Leonardo Di Caprio, “Inception”.

Për të mos i lënë gjërat të ngatërroheshin më tej, një tjetër përdorues i Reddit, krijoi një pemë ndërvepruese për të treguar sesi pikturat lidheshin me njëra-tjetrën. Zonja Decker u trondit nga reaksioni zinxhir dhe nuk mundi t’i  besonte syve se kishte frymëzuar aq shumë njerëz të pikturonin.

“Edhe pse njerëzit thonë, “Më frymëzove të pikturoj” , nuk e di, është tepër për mua. Në të vërtetë i jap meritë artistit të parë që e pikturoi”, ka thënë ajo për BBC-në. “Unë, nuk jam piktore. Jam vetë një njeri që doli në natyrë dhe bëri një pikturë të vogël, isha me fat që u mbërtheva në këtë çmenduri argëtimi.” Pyetja është: a do të mbarojë ndonjëherë kjo çmenduri?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë