Ekspozite

Pikëllimi i kryeministrit për Kosovën në një tablo

“Arkivi i hapur” është ekspozita e fundit e Galerisë Kombëtare të Arteve, çelur pak ditë më parë e që sjell një rrugëtim të artit figurativ shqiptar nga fillimi i shekullit të kaluar e deri në tranzicionin e vonë.Mes tyre dallohet edhe një tablo e realizuar nga kryeministri Edi Rama.

Për nga stili i pikturave të ekspozuara së fundmi prej tij, nga vizatimet në fletët e punës, që kaluan prej  galerive  europiane tek muret e  zyrës së tij në Kryeministri e deri tek kravatat e stampuara, me figurat abstrakte, tabloja me përmasa të mëdha është e ndryshme.

E realizuar ndoshta gjatë viteve si student ose në hapat e para të karrierës së tij si piktor, tabloja duket një përfaqësim i një miti. Për nga elementët etnikë, burra me shallin  e Rugovës  në hyrje të një shpelle dhe teposhtë një burrë i shtrirë, në gjysmë jetë që jehon elementë kristianë, ndoshta një Jozef i hedhur në pus nga të vëllezërit apo një Jezu në varrin prej guri, ndërsa këmbët e tij janë të lidhura me litarë që ngjasojnë si gjembaçë apo ringjalljen e Llazarit. 

Dikush mund ta shihte edhe si një risjellje e elementëve të artit bizantin në afresket e Onufrit apo Nikollës. “Nuk kemi ende një tekst kuratorial mbi pikturën”, thotë ciceroni, ndërsa ekspozita është ende “Under Construction”, ku çdo ditë u bashkohen vepra të tjera nga koleksioni i galerisë dhe etiketat  informuese mbi secilën vepër, ende mungojnë.

Bëhet fjalë për veprën “Pikëllimi i netëve kosovare”, që piktori Edi Rama e realizoi më 1989-n, kushtuar dramës kosovare. Mund të jetë frymëzuar  nga vrasja dhe varrimi i Jusuf Gërvallës, i vrarë më 1982-shin. Ishte më ’89 kur Millosheviç i heq Kosovës të drejtën e autonomisë.

Çështjen e Kosovës duket se kryeministri e ka pasur për zemër, shumë më parë se të merrte frerët e qeverisë apo të niste karrierën si politikan.

Viteve të fundit ai u bë protagonist, duke u anatemuar shpesh nga kritikët në Kosovë e madje ish-kryeministri Haradinaj se ishte pjesë e një plani të fshehtë së bashku me presidentët Thaçi, Vuçiç dhe ish-shefen e Politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini,  që kishte të bënte me shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Rama madje shpesh ka artikuluar ashpër kundër politikave të ngadalta të BE-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve  mes Prishtinës dhe Beogradit, duke kërcënuar me deklarata  mbi bashkimin kombëtar.  Deklarata të cilat, Rama do t’i shpjegonte më vonë si bashkim nën ombrellën e Bashkimit Europian. Por në një tjetër rast, atë të takimit për Mini Shengenin në  Serbi, fjalët e kryeministrit Rama tingëllonin si sfidë ndaj BE-së, që duket se nuk e ka  prioritet Ballkanin, edhe në këtë rast ai do të thoshte se asnjë plan bashkëpunimi rajonal nuk pengon rrugën dhe aspiratat e secilit vend për anëtarësim në BE.  Por kjo nuk ia kurseu kritikat, pasi Kosova nuk ishte e ftuar në takimin e Mini-Shengenit.

Kryeministri Rama dhe presidenti i Kosovës, Thaçi

Pas marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, mes Kosovës dhe Serbisë, ku me pikave me natyrë ekonomike, një prej tyre ishin më  të rëndësishme, ku Beogradi ndërpriste për një vit fushatën për mosnjohjen e Kosovës, Rama do të shkruante,  “Asnjë tradhti burra! Urime Kryeministrit Hoti për marrëveshjen e arritur me Serbinë, e cila s’është fundi po vazhdimi i të vetmes rrugë drejt njohjes përfundimtare: Dialog për gjithçka, Bashkëpunim për çka mundet sot, Këmbëngulje për çka duhet nesër!”, ishte mesazhi i kryeministrit Rama, që në mes të debateve depozitoi një padi kundër ish-kryeministrit Haradinaj, ndërsa ky i fundit nuk pranoi  ta takonte gjatë vizitës së Ramës në Prishtinë. Megjithatë, çështjen e Kosovës e ka trajtuar dhe adresuar, edhe si artist, në tablonë “Pikëllimi i netëve kosovare”, që publiku ka rastin ta shohë nga arkivat e GKA-së drejt e në sallën kryesore të ekspozitave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë