Futboll

Piké president i Fc Andora, Mesi e Fabregasi bashkohen si aksionerë

Futbolli nuk është më një lojë e thjesht, por një industri parash më vete. Në këtë botë milionash janë përfshirë politikanë biznesmenë, por edhe ish-sportist. Shembulli më i fundit është i Zherard Pike, i cili është bërë presidenti i klubit në kategoritë inferiore të Spanjës, Fc Andora.

Pike investoi në klubin e kategorive të ulëta në Spanjë me qëllimin e qartë që ta ngrejë atë lartë në nivelet e mëdha. Por mediet spanjolle shkruajnë se Pike nuk do të jetë i vetëm në këtë iniciativë. Mbrojtësi i Barcelonës pritet që të ketë si aksionerë të përbashkët në këtë aventurë të re edhe dy shokët e tij të ekipit Lionel Mesin dhe Cesk Fabregas. Tre futbollistët janë miq shumë të mirë me njëri tjetrin dhe kanë menduar që të futen bashkë në këtë aventurë të re në botën e biznesit.

Nga sa shkruan gazeta spanjolle, “Marca” fillimi është shumë serioz. Pike, Mesi dhe Fabregas kanë filluar të ngrenë struktura të mirëfillta si në klubet e mëdha te Fc Andora. Albert Jorkuera dhe Gabri Garsia janë dy njerëzit që janë ngarkuar me përgjegjësinë që ta bëjnë FC Andorën një klub profesionist.

Por jo vetëm stafi teknik do të jetë në stilin e Barcelonë, pasi pronarët e rinj të FcAndora po mendojnë edhe për merkato. Ernest Forgas, Oriol Dot, Joan Kervosand, Klaudio Bove janë afrimet e para në merkato për klubin modest që tashmë synon majat e futbollit spanjoll. Por jo vetëm këta, pasi edhe djali i Tito Villanovës, Adria Vilanova pritet që shumë shpejt të jetë pjesë e skuadrës së Pike.

Më herët emri i Zherard Pike ishte përfolur për një kalim në presidencën e klubit të Barcelonës. Para disa javës ishin të shumta mediet spanjolle që shkruan se Pike po mendonte t’i jepte fund futbollit të luajtur për të kaluar në pozicione drejtuese, por deri më tani të gjitha këto lajme kanë mbetur vetëm në kuadrin e spekulimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë