Gazeta Si – Pica më e mirë në Evropë nuk gjendet në Napoli, Romë apo Milano. Për vitin 2026, do t’ju duhet të rezervoni një fluturim për në Londër, ku “Napoli on the Road” ka zënë vendin e parë në udhërrëfyesin “50 Top Pizza Europe” – që konsiderohet si një nga standardet më autoritare të sektorit – për të tretin vit radhazi.
Çmimi u dorëzua gjatë një ceremonie në tregun “Bernabéu” të Madridit dhe vjen në një moment të veçantë për picerinë, e cila sapo ka hapur pikën e saj të tretë në Soho, pas atyre në Chiswick dhe Richmond.
Renditja është rezultat i punës së inspektorëve të guidave, të cilët i vizitojnë piceritë në mënyrë anonime për të vlerësuar brumin, cilësinë e përbërësve, shërbimin, listën e pijeve, atmosferën dhe kujdesin ndaj klientit. Rezultati ofron një pasqyrë të picave më të mira që mund të gjenden jashtë Italisë.
Podiumi evropian: nga Spanja në Francë – Menjëherë pas liderit me bazë në Londër, renditet “Baldoria” e Madridit – e drejtuar nga Ciro Cristiano – e cila ruan gjithashtu titullin e picerisë më të mirë në Spanjë.
Vendi i tretë i takon “IMperfetto”-s në Puteaux, në periferi të Parisit, një sipërmarrje e Tonino Cogliano-s dhe Simone Lombardi-t.
Dhjetëshen e parë e plotësojnë “50 Kalò London” e Ciro Salvo-s, “Sartoria Panatieri” në Barcelonë, “Pizza Zulu” në Gjermani, “nNea” në Amsterdam, “Sapori Italiani U Taliana” në Bratislavë, “Forno d’Oro” në Lisbonë dhe “Via Toledo” në Vjenë.
Është një hartë që ilustron se sa me sukses kultura e picës napolitane e ka pushtuar kontinentin, duke e rishpikur veten dhe duke mbetur njëkohësisht besnike ndaj identitetit të saj.
Picajoli që ka pushtuar Evropën? – Pas suksesit të “Napoli on the Road” qëndron Michele Pascarella, një picajol nga rajoni i Kampanjës, i cili vitet e fundit është shndërruar në një nga figurat më me ndikim në skenën ndërkombëtare.
I rritur mes miellit dhe brumit, ai filloi të punonte në piceritë e rajonit të tij të lindjes që në moshë shumë të re, përpara se të shpërngulej në Londër në vitin 2016 me synimin për të sjellë picën autentike napolitane përtej Kanalit të La Manshit.
Kapitulli i parë i rrugëtimit të tij ishte një kamionçinë e thjeshtë ushqimore që ndalej në tregjet e Londrës; radhët e gjata që krijoheshin te tezga e tij, tregonin se projekti e kishte gjetur audiencën e vet.
Që aty, ai përjetoi një rritje të vazhdueshme, e cila çoi në drejtimin e tre restoranteve në kryeqytetin britanik dhe në krijimin e një ekipi me dhjetëra punonjës.
Në vitin 2023, Pascarella u shpall gjithashtu “Picajoli Global i Vitit” (Global Pizza Maker of the Year), një vlerësim që konsolidoi pozicionin e tij ndërkombëtar.
Ndërsa festonte triumfin e tij të fundit evropian, ai ia dedikoi çmimin ekipit të tij: “Sfida nuk ka qenë kurrë thjesht përgatitja e një pice të shkëlqyer, por ndryshimi i perceptimit se çfarë mund të jetë një piceri. E nisëm me vetëm një person; sot jemi 84 veta”.
Pse Italia nuk shfaqet në renditjen evropiane? Kjo është pyetja që shumë njerëz i bënë vetes kur panë listën: si është e mundur që vendi sinonim i picës të mos ketë asnjë piceri mes më të mirave të Evropës?
Përgjigjja është e thjeshtë. Italia nuk merr pjesë në renditjen evropiane, sepse “50 Top Pizza” i kushton asaj një listë të veçantë dhe ekskluzive.
Si vendlindja e picës, ajo vlerësohet në mënyrë të pavarur përmes një renditjeje të rezervuar tërësisht për piceritë më të mira italiane.
Ky nuk është një rast përjashtimi apo refuzimi, por një vendim editorial që mundëson një krahasim të drejtpërdrejtë të picerive në pjesën tjetër të kontinentit.
Megjithatë, njëzet piceritë më të mira nga lista evropiane do të kualifikohen për renditjen “100 Piceritë më të Mira në Botë”, e cila pritet të shpallet më 15 shtator në “Teatro Mercadante” të Napolit.
Pica evropiane vazhdon të rritet – Edicioni i dhjetë i udhërrëfyesit pasqyron një lëvizje gjithnjë e më dinamike.
Janë vlerësuar rreth 200 piceri në 35 vende evropiane dhe, për të shënuar përvjetorin, renditja është zgjeruar në mënyrë të jashtëzakonshme për të përfshirë 60 vende.
Spanja është vendi më i përfaqësuar me 29 piceri, e ndjekur nga Franca me 24 dhe Anglia me 22. Sa u përket qyteteve, Parisi kryeson me 17 piceri në udhërrëfyes, duke lënë pas Londrën me 15 dhe Madridin me 9.
Këto shifra tregojnë se si pica në stilin napolitan është shndërruar në një gjuhë universale. Edhe pse rrënjët e saj mbeten italiane, talenti i picajolëve i ka kapërcyer kufijtë, duke e shndërruar një simbol të kuzhinës në një trashëgimi të përbashkët gastronomike evropiane – një trashëgimi që flet çdo gjuhë pa e humbur kurrë aromën karakteristike të furrës me dru.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje