Politike

Pezullimi i fondeve të BE për bujqësinë/ Hohmann: S’ka ende raport final por padyshim që ka pasur shkelje

Nga Gazeta ‘Si’ - Ndonëse hetimi nuk ka përfunduar plotësisht, gjetjet paraprake të Komisionit Europian tregojnë se padyshim ka një problem në lidhje me zbatimin e programit IPARD II.

Kështu ka deklaruar Christiane Hohmann, ambasadorja e Bashkimit Europian në një intervistë për televizionin Klan, kur është pyetur lidhur me pezullimin e fondeve të bujqësisë për Shqipërinë pas një hetimi për korrupsion në zbatimin e IPARD II.

Ajo ka theksuar se ende nuk kanë një raport përfundimtar por megjithatë ka deklaruar se ka pasur diçka që nuk ka funksionuar si duhet në përdorimin e këtyre fondeve.

LEXO EDHE:
- A do të preken projektet e kontraktuara nga bllokimi i fondeve për bujqësinë? Cilat janë hallkat në rast të një vendimi final të BE
- Frida Krifca, ministrja e shkarkuar nga Brukseli
- Lajmi i keq për bllokimin e fondeve të BE për bujqësinë/ Në 3 vite Shqipëria mori 112 mln euro nga IPARD… dhe rasti i ngjashëm me Bullgarinë
- Pezullimi i fondeve nga BE, Zusi: Mund të çojë edhe në faliment bizneset që kanë marrë kredi

“Jemi në mes të një procesi ku kishim njerëz që në fakt u ankuan për keqmenaxhimin e fondeve nga agjencia për menaxhimin e fondeve të IPARD, kështu që institucioni i Brukselit i quajtur OLAF, i cili ndjek mashtrimet, e shqyrtoi çështjen dhe ata bënë një hetim ku kanë informuar Komisionin Europian për gjetjet e tyre paraprake”, deklaroi ajo ndërsa shtoi se kjo nuk do do të thotë se bujqësia dhe fermerët nuk po bëjnë punë të mirë.

“Në këtë moment ne ndalojmë çdo gjë përpara se të marrim raportin përfundimtar. Padyshim që ka pasur diçka që nuk ka funksionuar si duhet në përdorimin e fondeve por nga ana tjetër është edhe puna e ndershme e fermerëve.

Pra, mendoj se duhet të bëjmë dallimin midis asaj që ne shohim se mund të bëhet në terren dhe asaj që ndodhi, dhe ne duhet të shkojmë në fund të saj. Por kjo nuk do të thotë se nuk ka më asistencë në dispozicion, do të qartësojmë gjithçka dhe më pas vazhdojmë”, ka deklaruar ajo gjatë intervistës.

Programi IPARD është mbështetja financiare për bujqësinë, që Bashkimi Europian ua dedikon vendeve në proces aderimi si ndihmë për të zhvilluar më tej sektorin bujqësor. IPARD është miratuar me vendim të Komisionit Europian më 20 korrik 2015.

Shqipëria u bë pjesë në thirrjen e dytë të këtij programi IPARD II, në vitin 2018 dhe disbursimi nisi në vitin 2021.  Deri më tani, përfshirë pjesërisht fonde nga IPARD III që nisi këtë vit, Shqipëria ka marrë 112 mln euro në total.

Në Shqipëri, këto fonde dhe aplikime menaxhohen nga Agjencia për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, e cila po njësoj, menaxhon edhe skemat kombëtare të financimit të fermerëve. Për Shqipërinë, IPARD do të mbulonte fillimisht, investime në bujqësi dhe të mbjella, më pas në blegtori, agroturizëm dhe akuakulturë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë