Ngjarje

“Petro Nini”, PSD, pallati në Vlorë dhe standardet e Qeverisë

Përplasja mes përmbaruesve dhe policisë nga njëra anë me anëtarët e katër familjeve që duhet të lironin banesat e tyre pas një vendimi të formës së prerë të gjykatës nga ana tjetër, u përhapën me aq shpejtësi në mediat online dhe rrjetet sociale saqë nuk mund të mos viheshin re nga ana e Kryeministrit Edi Rama.

Reagimi i parë i shefit të Qeverisë ishte përmes rrjeteve sociale. Ai "lau duart" duke thënë se Qeveria ishte e pafuqishme përballë vendimit të drejtësisë dhe akuzoi mediat se po i binin në qafë kot.

https://twitter.com/ediramaal/status/1105099327804977152

Kryeministri ka pjesërisht të drejtë. Një pjesë e mediave me apo padashje fajin për ato skena nuk ja faturonin vendimit të gjykatës e sistemit të drejtësisë, por qeverisë dhe sidomos sjelljes së Policisë së Shtetit.

Rama ka të drejtë edhe kur thotë se Qeveria nuk mund të ndërhyjë, por ky qëndrim i tij bie në një pjesë të madhe ndesh me qëndrimin e mbajtur në një rast tjetër edhe më të bujshëm se shtëpia tek "Petro Nini" në Tiranë.

Në vjeshtën e 2013, përmbaruesit, të shoqëruar nga policia private u paraqitën në zyrat e Partisë Socialdemokrate të Skënder Gjinushit për të ekzekutuar vendimin e gjykatës, që ja kalonte pronësinë e godinës një personi tjetër.

Skënder Gjinushi dhe zyrtarët e tjerë të PSD-së në atë kohë kundërshtonin vendimin dhe e cilësonin atë të manipuluar. Në vendngjarje në ato ditë mbërriti policia e shtetit. Ndryshe nga rasti i Petro Ninit, kur uniformat blu u rreshtuan në krah të përmbaruesve, në rastin e godinës së Partisë Socialdemokrate, uniformat blu u rreshtuan kundër tyre.

Policia largoi përmbaruesit dhe policinë private me skena ku nuk mungoi dhuna. Për këtë, në ditët që pasuan u proceduan penalisht punonjës të policisë private dhe të zyrës përmbarimore, ndërsa vendimi i gjykatës nuk u ekzekutua asnjëherë.

Rasti më i bujshëm është pallati i shpërthyer me tritol i vjehrrit të Lulzim Bashës në qytetin e Vlorës. Dilemat se si ishte dhënë ajo leje ndërtimi në atë zonë i kishte edhe personi me njohuri minimale nga urbanistika dhe shembja e tij mirëpritej nga qytetarët.

Por, koha provoi se rruga që u zgjodh për të shembur këtë ndërtesë ishte e gabuar. Së pari, nëse në rastin e "Petro Ninit" Rama thotë se qeveria nuk mund të ndërhyjë, në rastin e shembjes së pallatit në Vlorë, Qeveria e tij, kur kishte pak muaj që kishte ardhur në pushtet shpërfilli vendimet e gjykatave dhe nxitoi për t’i vënë tritolin.

Tritoli nuk hodhi në erë vetëm tullat, betonin dhe suvanë e pallatit shumëkatësh të ndërtuar thuajse në det, por edhe 17 milionë euro të taksapaguesve shqiptarë me të cilat Strasburgu u dha të drejtë pronarëve dhe ndëshkoi shtetin.

Mes morisë së shkeljeve të gjetura nga Gjykata e Strasburgut ishin edhe ato të mosrespektimit të vendimeve të gjykatave shqiptare.

Shkeljet e gjetura nga Strasburgu nisin që nga tetori i 2013, kur Inspektoriati i Territorit dhe Policia e Shtetit izoluan pallatin duke mos lejuar banorët që të hynin në banesat e tyre.

Më 27 nëntor 2013, Qeveria kalon me urgjencë një fond prej 3.4 milionë eurosh si dëmshpërblim për pronarët. Shuma u kundërshtua nga pronarët, që dorëzuan në Gjykatën e Vlorës kërkesën për një dëmshpërblim më të madh.

Qeveria nuk priti që për këtë përplasje fjalën e fundit ta thoshte drejtësia, por në fillim të dhjetorit vazhdoi me planin e saj.

https://www.youtube.com/watch?v=Pnn14X9NQTA

Në mars të vitit 2014, Gjykata e Vlorës konsideroi vendimin e Qeverisë si të paligjshëm dhe e rriti dëmshpërblimin nga 3.4 milionë euro në 11.6 milionë euro.

Ky vendim u apelua menjëherë nga Qeveria në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit, pas kërkesës së qeverisë e ngriu vendimin e Gjykatës së Vlorës dhe si vendim të ndërmjetëm pezulloi dëmshpërblimin.

Në prill të vitit 2016-ës, banorët e prekur iu drejtuan Gjykatës së Strasburgut, e cila në janar të 2018 vendosi se qeveria ka vepruar në mënyrë të paligjshme dhe për këtë duhet të paguajë rreth 14 milionë euro, që bashkë me shpenzimet procedurale dhe interesat shkonin në 17 milionë euro.

Këto janë dy qasjet e ndryshme të qëndrimit të Qeverisë "Rama" në dy raste jo identike, por të ngjashme. Në rastin e pallatit në Vlorë ishte Qeveria në konflikt me pronarët, ndërsa në rastin e "Petro Ninit" bëhet fjalë për një konflik mes dy palëve private. A mund të ndërhyjë qeveria në këtë rast? Instrumentet për ta bërë këtë duken të pakta, por ato nuk mungojnë.

Së pari, përmes Ministrisë së Drejtësisë, Qeveria mund të nisë verifikimin e vendimit të dhënë nga gjykata, nëse është i drejtë, apo pasojë e korrupsionit, siç edhe akuzojnë familjarët që u përleshen me policinë.

Nëse Ministria gjen shkelje, atëherë ajo, ashtu si në rastin kur iu drejtua Këshillit të Lartë Gjyqësor për hetim administrativ ndaj gjyqtarëve që zbutën dënimin e Dritan Dajtit, mund t’i drejtohet sërish. Kjo kërkesë pak drejtësi mund të ofrojë, pasi mungon Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, por të paktën do të dëshmonte vullnetin e Qeverisë për të qëndruar në anën e duhur në një përplasje mes privatëve.

Por, jo vetëm qëndrimi karshi vendimeve të gjykatave ndryshon. Në harkun kohor të 24 orëve, ndryshoi edhe qëndrimi i Kryeministrit ndaj sjelljes së policise në rastin e Petro Ninit.

Të hënën ai e quajti detyrim ligjor të uniformave blu që t’u përgjigjen përmbaruesve, edhe kur këta të fundit u binin me shkelma dyerve të ndërtesës ku duhej të hynin, ndërsa të martën e qortoi.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2229135950479230/

“Policia zbatoi ligjin dhe pikë. Por sjellja e saj nuk ishte as dinjitoze, as efikase. Dukej që trupa ishte nisur pa asnjë përgatitje paraprake për një situatë sidoqoftë delikate, ku si përfundim u krijuan skena krejt të panevojshme me njerëz që shtriheshin në rrugë dhe uniformat blu që nuk dinin se çfarë të bënin, por rrinin dhe lëviznin në ato skena si një trupë pa kokë që krijonte veç acarim”, deklaroi Kryeministri përmes rubrikës “Përgjigja Ime” në Facebook.

Ai që qortoi i pari Policinë e Shtetit dhe që foli për sjellje jodinjitoze të saj ishte Sandër Lleshaj. Ministri i Brendshëm reagoi po përmes rrjeteve sociale mbi ngjarjen dhe një ditë më vonë “koka e turkut” u bë drejtori i Policisë së Tiranës, Kastriot Skënderaj. Shkarkimi i Skënderajt u lidh drejtpërdrejtë me ngjarjen tek “Petro Nini”, por qarkulluan dyshime se kjo ngjarje u shfrytëzua nga Lleshaj për të larguar nga policia drejtuesit të cilësuar si njerëz të Fatmir Xhafajt.

https://www.facebook.com/lleshajsander/posts/329726691009999

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë