Kosova

Petkoviç: Kurti shfuqizoi dinarin për të parandaluar formimin e Asociacionit. Kosova refuzon çdo bisedim konstruktiv

Nga Gazeta 'Si'-Drejtori i Zyrës për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviç, deklaroi sot se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është shtylla kurrizore e Marrëveshjes së Brukselit. 

Ai tha se kryeministri i Kosovës Albin Kurti “ka refuzuar propozimin e BE-së dhe kur pa se gjithçka po shkonte në drejtim të marrjes së kornizës përfundimtare, mori një vendim të njëanshëm për anulimin e dinarit në Kosovë.”

“Prishtina e pa se ne po shkonim në drejtim të marrëveshjes gjithnjë e më të ngushtë për statutin përfundimtar dhe se bisedimet në fakt kishin kuptim. Prishtina gjatë gjithë kohës e refuzon dhe ka refuzuar të diskutojë atë draft statut dhe për të parandaluar ato diskutime dhe një marrëveshje për statutin përfundimtar, në dhjetor Kurti filloi me vendimin e njëanshëm ku shfuqizoi dinarin”, deklaroi Petkoviç. 

Sipas tij, kanë kaluar 11 vite dhe Kosova nuk e ka përmbushur këtë kërkesë, për të cilën ai deklaron që është parakusht për mbijetesën e popullit serb.

"Prishtina nuk do ta bëjë këtë, sepse nuk do të garantojë të drejta individuale dhe kolektive për popullin serb. Serbët po largohen, 15 për qind e serbëve, veçanërisht nga veriu i Kosovës, kanë lënë përgjithmonë vatrën e tyre në drejtim të Serbisë qendrore”, deklaroi ai.

Petkoviç tha se për një vit regjimi i Prishtinës i udhëhequr nga Kurti e ka penguar atë që të vizitojë territorin e Kosovës në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet, veçanërisht marrëveshjen për vizitat zyrtare.

“E kam njoftuar vizitën time me kohë, në përputhje me të gjitha procedurat, edhe pse së fundi e kemi ngritur sërish këtë çështje në Bruksel. Është vërtet e paqëndrueshme që Kurti të shkelë marrëveshjen për vizitat zyrtare në një mënyrë të tillë. Ata përsëri i injoruan të gjitha marrëveshjet dhe në një mënyrë të neveritshme përsëri na ndaluan hyrjen”, tha Petkoviç për TV Pink në lidhje me ndalimin e tij për të marrë pjesë në liturgjinë e mesnatës në manastirin e Visoki Deçanit për Pashkë.

Ai shtoi se nuk kishte marrë asnjë shpjegim për ndalimin dhe se emaili përmbante vetëm një fjali ku thuhej se atij i ndalohej vizita.// Tanjug


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë