Kosova

Peticioni për shkarkimin e kryetarëve, Osmani: E drejtë që u takon qytetarëve në veri

Nga Gazeta 'Si' - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se peticioni i nisur nga serbët e Kosovës për shkarkimin e kryetarëve në veri të vendit është i drejtë dhe se ky fakt duhet respektuar.

Gjatë homazheve para bustit të Kadri Zekës në Prishtinë, Osmani deklaroi se ky peticion është në përputhje me ligjet në fuqi.

“Sot ka nis peticioni për shkarkimin e kryetarit në komunat veriore dhe siç e dini ligjet e Republikës së Kosovës e lejojnë një procedure të tillë e cila është në Udhëzimin Administrativ. Është e drejtë që u takon qytetarëve në komunat veriore. Si shtet që jemi pa dallueshmëri etnike ua lejojmë natyrisht edhe atyre”, tha Osmani.

Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviç, nga sot(17 janar) qytetarët mund të nënshkruajnë peticionin për të shkarkuar kryetarët e komunave nga radhët e komunitetit shqiptar. Mbledhja e nënshkrimeve ka nisur në orën 09:00.

Në rast se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) konfirmon rezultatin e peticionit, kjo do t’i hapte rrugë shkarkimit të kryetarëve shqiptarë në komunat në veri që u zgjodhën në prill të vitit 2023, pasi zgjedhjet u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.

Peticioni është nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Listës Serbe, parti që bojkotoi zgjedhjet dhe përfaqësuesit e saj u larguan nga institucionet e Kosovës dhe nxitën largimin edhe të serbëve të tjerë.

Në mënyrë që peticioni të jetë i suksesshëm, kërkohet që të mblidhen të paktën 20 për qind e nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë