Kosova

Peticionet pa efekt në Kosovë, institucionet nuk përfillin qytetarët

Peticionet e qytetarëve nuk po përfillen aq shumë nga institucionet e Kosovës.

Një i tillë së fundmi është iniciuar nga disa qytetarë, që kërkojnë lejimin e mjeteve nga Trusti Pensional.

Analistët në vend, thonë se peticionet asnjëherë nuk janë marrë për bazë nga vendimmarrësit.

Analisti politik, Gazmir Raci, ka kërkuar që kërkesat e qytetarëve të zgjidhen në Kuvend, dhe për peticionet thotë se janë të paefektshme.

Analisti Gazmir Raci

“Peticionet janë instrumente demokratike që në çdo vend normal shfrytëzohen nga ana e qytetarëve për të ngritur çështje të caktuara nga institucionet që ofrojnë zgjidhje të problemeve. Unë do isha më i koncentruar dhe do të dëshiroja që çështja e këtyre kërkesave, problemeve të zgjidhej nga Kuvendi i Kosovës sepse deputetët janë përfaqësuesit e popullit të zgjedhur nga kjo trupë elektorale. Deri tani asnjë peticion me sa unë jam në dijeni nuk është marrë seriozisht në konsideratë apo nuk janë zgjidhur kërkesat që janë ngritur nga ana e peticioneve”, tha Raci.

Të njëjtën gjë thotë edhe analisti tjetër, Bekim Kabashi. Ai kritikon politikën që nuk po i merr për bazë kërkesat e drejtpërdrejta të qytetarëve. 

Bekim Kabashi

“Unë nuk mbaj mend ndonjëherë ndonjë peticion ka shkuar deri në fund ashtu në formën si është nisur. Jo çdoherë politika e shfrytëzon drejtë këtë instrument sikurse instrumentet e tjera. Ne e dimë që politika nganjëherë manipulon si me protesta, madje edhe me votën e qytetarit që përfaqësohet në Kuvend, në institucionin më përfaqësues në vend. Nuk është që i mban premtimet për të cilat e merr votën. Abuzohet edhe me peticionin mirëpo ai duhet të jetë aty dhe të shfrytëzohet kur është e nevojshme”, tha ai.

Për iniciativën e fundit të qytetarëve për tërheqjen e mjeteve nga Trusti, Kabashi e vlerëson si të duhur. Ai ka kërkuar që një gjë e tillë të lejohet dhe të mbetet në diskrecionin e qytetarëve nëse duan apo jo t’i tërheqin ato mjete.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë