Kosova

Peticionet / Në Mitrovicë të Veriut arrihen nënshkrimet e nevojshme për shkarkimin e Erden Atiç

Nga Gazeta 'Si'-Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Nexhat Ugljanin, deklaron se grupi iniciues serb ka arritur numrin e duhur për dorëzimin e peticionit për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiç.

Ai thotë se qytetarët serbë kanë nënshkruar peticionin grupe-grupe, ku janë mbledhur mbi 4 mijë nënshkrime.

“Firmat kanë arritur numrin e duhur sipas informatave që kemi nga terreni edhe sigurisht që fillimisht do të dorëzojmë peticionin për Mitrovicën e Veriut, por edhe në Leposaviç. Sipas informatave, procesi është zhvilluar në mënyrë të organizuar”, tha ai.

Grupi nismëtar ka afat prej 30 ditësh që të mbledhë nënshkrimet fizikisht. Afati mund të shtyhet vetëm një herë për 15 ditë.

Më pas nënshkrimet dorëzohen te kryesuesi i kuvendit komunal dhe KQZ-ja. Pas kësaj, institucioni i zgjedhjeve verifikon nënshkrimet dhe nëse nuk janë aq sa kërkohen – 20 për qind e votuesve – nismëtarët e kërkesës kanë afat prej 10 ditësh për të përmbushur këtë kuotë.

Ndërkohë sot(19 janar) qytetarët kanë filluar të nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e Ilir Pecit nga pozita e kryetarit të Komunës së Zveçanit.

Përfaqësuesi i qytetarëve për peticionin në Zveçan, Darko Vuksanoviç u ka bërë thirrje qytetarëve të kësaj komune që sot të dalin sa më shumë të votojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë