Futboll

Pesë javët e fundit, si kryqëzohen fatet e Europës dhe mbijetesës!

Pesë javë para fundit të kampionatit, Partizani dhe Kukësi janë dy skuadrat e vetme që e kanë të sigurt pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Janë dy skuadrat kryesuese të Superiores dhe që nuk kanë asnjë problem me licencimin, ndaj dhe pjesëmarrja e tyre në Kupat e Europës mund të konsiderohet e sigurt. Partizani, edhe pse ende jo zyrtarisht, shkon në Champions League si kampion i Shqipërisë, ndërsa Kukësi në Europa League. Që kuksianët e kanë "fjetur mendjen" sa i takon titullit kampion, kuptohet lehtë, sepse ata nuk kanë sulmuar fort javët e fundit për t’u afruar me të kuqtë, sa herë që këta të fundit janë ndalur.

Gjithçka mbetet një rebus sa u takon skuadrave të tjera që shkojnë në Europë dhe skuadrën e dytë që do të bjerë nga Superiorja, përveç Kamzës së përjashtuar. Fatet e skuadrave të përfshira në vorbullën e Europës lidhen me shumë faktorë dhe me kombinimet e rezultateve të 5 javëve të mbetura. Për disa skuadra kanë mbetur 4 ndeshje praktikisht, sepse përjashtimi Kamzës u jep 3-pikëshin në tavolinë. Këtë fat e kanë Flamurtari, Skënderbeu dhe Laçi, tri skuadrat që luftojnë për të shkuar në Kupat e Europës nga kampionati. Korçarët janë ende në garë edhe nga Kupa, por llogaritë e tyre bëhen gjithmonë nëse fitojnë betejën ligjore me UEFA-n. Flamurtari është i favorizuar për vendin e tretë, që e mban aktualisht, por për vlonjatët ka një dilemë të madhe: licencimi. Nga burime jo zyrtare mësohet se klubi i Flamurtarit ka pak gjasa të licencohet për shkak të borxheve të vjetra dhe kjo do të thotë se këtu përfiton vendi i katërt, Teuta në këtë rast, e kërcënuar nga Skënderbeu dhe Laçi që e ndjekin nga pas.

Nga një ndeshje mes Tiranës dhe Kastriotit, që luftojnë për mbijetesë

Por edhe për korçarët, ashtu si dhe për vlonjatët, ka një dilemë të madhe: KAS-i. Skënderbeu mund të marrë pjesë në Kupat e Europës, nëse fiton të drejtën në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, në rast të kundërt edhe ky ekip liron një vend në renditjen e kampionatit. Pra, nëse Flamurtari dhe Skënderbeu nuk kanë të drejtë të shkojnë në Europë, në garë mbeten Teuta dhe Laçi, që luajnë për një vend, por ka edhe një mundësi që të dyja këto skuadra të shkojnë në Europa League. Kjo mundësi krijohet, nëse Kupën e Shqipërisë e fiton Kukësi i vendit të dytë. Kukësi e ka fituar ndeshjen e parë gjysmëfinale me Skënderbeun dhe ka shanse të mëdha për të shkuar në finale, ku me shumë mundësi do të gjente Tiranën.

Skuadra bardheblu, më shumë se për Kupën e Shqipërisë, duhet të mendojë për mbijetesën në Superiore, për të mos përsëritur tragjedinë e dy viteve me parë. Ishte pak a shumë e njëjta histori, pasi Tirana binte në Kategorinë e Parë dhe fitonte Kupën e Shqipërisë. Këtë herë rivaliteti nuk është me Vllazninë, por me Kastriotin, që i rri si hije skuadrës bardheblu me vetëm 3 pikë diferencë. Me shumë mundësi, verdiktin do ta japë ndeshja direkt, që Tirana dhe Kastrioti do të luajnë në "Selman Stërmasi", por makthet për kryeqytetasit janë rikthyer javët e fundit. Një tjetër rënie Tiranës nuk do t'i falen në asnjë mënyrë. Edhe Luftëtari ndodhet pranë zonës së ftohtë, por veç avantazhit prej 2 pikësh me Tiranën, ka edhe bonusin e fitores me Kamzën. Kalkulimet bëhen javë pas jave dhe tani çdo hap fals mund të hedhë në erë një sezon të tërë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë