Rend dhe Ligj

Pesë emrat për drejtues të “FBI” shqiptare

Gjashtë ditë përpara mbylljes së afatit për të aplikuar, mësohet se janë 5 kandidatë për drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ibrahim Disha, Artan Shkëmbi, Gjovalin Ulndreaj, Sabri Hoxha dhe Adriatik Ago.
Kreu i SPAK, Arben Kraja pas publikimit të emrave i ka bërë thirrje që të vijojnë aplikimet për këtë post të rëndësishëm që cilësohet edhe si FBI-ja shqiptare. “Do të doja të ritheksoja edhe një herë që aplikimi për Pozicionin e Lirë të Punës për Drejtorin e BKH-së është një mundësi e shkëlqyer për t’u përzgjedhur për të drejtuar një grup të madh hetuesish të BKH-së, të cilët do të mbështesin Prokurorët e Posaçëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. SPAK kërkon një kandidat ose kandidate që demonstron lidership, integritet dhe profesionalizëm. Në qoftë se ju mendoni që i plotësoni kërkesat e këtij pozicioni sfidues dhe kriteret në lidhje me përvojën në punë, arsimin dhe keni një figurë të pastër, aplikoni para datës 30 janar 2020”, deklaron Kraja.
Në listën e emrave të bie në sy emrii i Adriatik Agos, i cili është numri dy i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme. Ago kaloi disa ditë më parë procesin e Vettingut në polic. Trupa e Komisionit theksoi se nga të dhënat që ka mbledhur, Ago ka bërë deklarim të saktë të pasurisë dhe ka burime që e justifikojnë.
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka ngritur Komisionin e Vlerësimit, që do të vlerësojë aplikantët që do të jenë pjesë e garës për Kryetarin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Burime zyrtare kanë bërë të ditur se komisioni i ngritur përbëhet nga tre anëtarë, Kryetari i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Arben Kraja, që pritet të mbajë dhe rolin e kryetarit të komisionit, si edhe dy prokurorë të tjerë të SPAK, Eneid Nakuçi dhe Behar Dibra. Me datën 10 janar të 2020 u hap gara për për drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Ka qenë Kryetari i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, Arben Kraja i cili ka njoftuar hapjen e garës për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Për të aplikuar për kreun e Byrosë ka bërë thirrje edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit është përgjegjës për funksionimin e BKH-së dhe mbikqyret nga një komision i përbërë prej tre prokurorësh të Prokurorisë së Posaçme, njëri prej të cilëve është drejtuesi i saj dhe dy të tjerët zgjidhen çdo vit me short. Personi që do të përzgjidhet nga ky proces, do të jetë pjesë e një grupi elitë që mbështet Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorët e Posaçëm, të cilët do të hetojnë veprat penale nën juridiksionin penal të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Kandidatët

Ibrahim Disha
Artan Shkëmbi
Gjovalin Ulndreaj
Adriatik Ago
Sabri Hoxha


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë