Ka ndodhur

Pesë banorë në pranga pas aksionit për shembjet te ‘5 Maji’

Gazeta Si - Një ditë pas aksionit për shembjen e shtëpive në zonën e "5 Majit", policia ka arrestuar 5 banorë dhe 2 të tjerë janë të proceduar në gjendje të lirë.

Në komunikatën për mediat, policia thotë kanë rënë në pranga në flagrancë  shtetasit, Gj.N., 64 vjeç, A.M., 52 vjeç, M.M., 51 vjeç, N.M., 40 vjeç dhe L.M., 32 vjeçe, si dhe u proceduan penalisht shtetasit B.C., 35 vjeç dhe një shtetas të mitur 17-vjeçar.

Të ndaluarit akuzohen për veprat penale "Plagosja e lehtë me dashje", "Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik", "Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik", "Goditje për shkak të detyrës", "Prishja e qetësisë publike" dhe "Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive".

Policia thotë se "këta shtetas, ditën e djeshme, gjatë zbatimit të vendimit për prishjen e objekteve në rrugën "5 Maji", në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me sende të forta punonjësit e Policisë që ishin në detyrë, duke iu shkaktuar dëmtime fizike".

Aksioni i IKMT-së për shembjen e banesave te zona e ‘5 Majit” u shoqërua me tension mes banorëve dhe policisë, ndaj të cilëve u hodhën gurë dhe mjete të forta.

Pas konfrontimit, 5 punonjës të Policisë së Shtetit dhe 3 të Policisë Bashkiake kanë mbetur të lënduar nga përplasja njoftoi policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë