Ka ndodhur

Shemben disa shtëpi te ‘5 Maji’, banorët godasin me gurë dhe shkopinj policinë (Foto-Video)

Gazeta Si - Është shoqëruar sërish me tensione aksioni i IKMT-së për shembjen e banesave të mbetura nga zona e “5 Majit” në kuadër të projektit të ndërtimit.

Ashtu si më parë, banorët e kësaj lagjeje janë bërë bashkë për të mbrojtur banesat e tyre dhe për të mos lejuar aturoritetet që të vijojnë me shembjet.

Në shenjë rezistence, ata kanë tentuar që të pengojnë policinë që të ndërhyjë, duke refuzuar që të largohen.

Ata janë përplasur me policinë, ku kanë qëlluar me shkopinj, si dhe kanë hedhur gurë dhe shashka në drejtim të tyre.

Si kundërpërgjigje ndaj banorëve, policia ka hedhur gaz lotsjellës për t'i ndaluar. Në çatinë e një shtëpie kanë hipur 2 banorë që refuzuan të zbrisnin, duke tentuar që të ndalojnë shembjen e shtëpisë.

Deputeti i Partisë Demokratike, Alfred Rushaj, i cili mbërriti që të takojë banorët e ‘5 Majit’, tha se i ka kërkuar kryebashkiakut të Tiranës që të bisedojë me banorët.

"Jemi munduar të bëjmë çdo gjë procedurialisht. Që para një viti janë bërë kallëzime penale. Kemi bërë kërkesë kryetarit të bashkisë, që të ulet dhe të plotësojë kërkesat e tyre. Çfarë janë këto njerëz që veprojnë kështu, pse nuk pritet përgjigja e institucioneve", - tha Rushaj.

Pavarësisht rezistencës së banorëve, fadromat e IMT-së, kanë ndërhyrë dhe kanë kryer procesin e shembjes së shtëpive. Këtë të martë janë shembur 12 banesa, ndërsa më parë janë shembur dhjetëra të tjera.

Prej disa kohësh banorët e “5 majit” por jo vetëm janë ngritur në protesta që kundërshtojnë shembjen e banesave të tyre.

Ata kërkojnë marrëveshje me qeverinë për banesat e reja dhe dëmshpërblimin në proporcion të drejtë me pronat që kishin.

Përveç njësisë numër 8, shembje do të ketë edhe në njësinë numër 4, ku janë rreth 7 ndërtesa që pritet të rrafshohen.

Ndryshe nga banorët e njësisë numër 8, banorët e njësisë numër 4 janë më të qetë dhe kanë firmosur marrëveshje me bashkinë.

Në zgjidhjen që ka ofruar bashkia, banorët e njësisë administrative numër 4 dhe numër 8 që preken nga ky plan, do të strehohen më tej në një bllok pallatesh që ndërtohet po te “5 maji” e ku do të bashkëjetojnë edhe banorë, shtëpitë e të cilëve kanë pësuar dëme nga tërmeti i 26 nëntorit, por edhe ata që i kap plani zhvillimor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë