Futboll

Përurohet Shtëpia e Futbollit, Infantino: FIFA ka projekte të tjera për Shqipërinë

Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, ishte sot i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të “Shtëpisë së Futbollit”, projekt i financuar edhe nga FIFA. Një ceremoni që përkon edhe me 90-vjetorin e pranimit të Shqipërisë në institucionin më të lartë të futbollit botëror.

Infantino zhvilloi fillimisht një vizitë në stadiumin “Air Albania”, i shoqëruar nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Pastaj ishte radha e festës së inaugurimit të “Shtëpisë së Futbollit”. Të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit dhe Sporteve Evis Kushi, president të federatave fqinje dhe personalitete të ndryshme të futbollit.

Nuk munguan batutat me kryeminsitrin Rama nga ana e kreut të futbollit botëror. Në fjalën e rastit ai mes të tjerash u shpreh se FIFA do të sjellë projekte të tjera në Shqipëri:

‘Është emocion i madh që gjendem këtu. Kjo është një ditë feste, Ku përurojmë “Shtëpinë e Futbollit”. Prej kohës kur FSHF-ja është anëtare e FIFA-s e UEFA-s thamë se ishte koha që së bashku të ndërtonim këtë shtëpi, që është për të gjithë.

Ky projekt do të sjellë më shumë projekte dhe pasion te të rinjtë, projekton Shqipërinë në një epokë të re. Futbolli në Shqipëri ka një ndryshim të madh. Kam ardhur para 20 viteve dhe nisëm të mendonim çfarë do të bënim, por ajo që shoh nuk është 20 vite më pas, por 2000 vite.

Shqipëria është e projektuar drejt së ardhmes dhe stadiumi është një simbol, stadium ku u bë finalja. Edhe stadiumet e tjera, në bashkëpunim me kryeministrin, tregojnë sa e do ky vend futbollin. Jam krenar që gjendem këtu sot, të gjithë sytë e botës janë këtu në Tiranë.

Shqipëria ka shënuar përparime të mëdha në infrastrukturë, mund të bëhet edhe më shumë. Do të investojmë edhe në fushat e qyteteve të tjera. FIFA i ka shumfishuar investimet. Është vizita ime e katërt në Shqipëri.

Herën e parë më bënë dhuratë një pako. Nuk e hapa, por në aeroport e hapën ata të sigurisë dhe pashë brenda një shpatë shqiptare. Më thanë se nuk mund të shkoja në avion me shpatë, por i thashë se ishte një shpatë shqiptare. Jam dhe ndihem shqiptar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë