Tokio 2020

Personazhi/ Vogëlushja Zaza 12 vjeç në Lojëra, raketa e saj magjike kundër bombave

Sa e bukur është rinia në buzëqeshjen e ëmbël dhe sytë që shkëlqejnë të një vajze 12-vjeçare, e aftë të shkruajë historinë para se të fillojë aventurën e saj të jashtëzakonshme në Olimpiadë. Hend Zaza, nga Siria, me një raketë ping pongu në dorë, ka vrarë frikën nga bombat dhe i ka dhuruar vetes gëzimin e një udhëtimi që është një bashkim mes rilindjes, shpresës, besimit dhe të ardhmes.

Është sportistja më e re e Olimpiadës, vjen nga Hama, qyteti biblik i 17 mullinjve, i njohur edhe gjatë luftës civile të Sirisë në 10-vjeçarin e fundit. Në ping pong, duke ndjekur shembullin e një vëllai më të madh, ka gjetur shpëtimin nga drama e të shtënave të përditshme me armë, duke krijuar një hapësirë personale për të fluturuar me fantazinë dhe për të mos u mbytur nga errësira e ndjenjave.

Hend Zaza, 12 vjeç. Gzeta Si, 23 korrik 2021

Vetëm se është dashur pak të mësohej që ajo vogëlushe e ndrojtur zotëronte një prekje magjike, edhe pse stërvitej në një tavolinë të bërë me materiale të mbledhura sa andej këndej dhe zakonisht në dritën e diellit, sepse natën energjia elektrike ishte thuajse gjithmonë vetëm një kujtim.

Në 2016-ën, 2 vjet pasi kishte marrë në dorë një raketë për herë të parë, u ftua nga Federata Ndërkombëtare për të marrë pjesë në Lojërat e të rinjve në Katar, ku ajo fitoi menjëherë zemrat e të gjithëve, siç tregon Eva Jeler, ish-trajnere e kombëtares gjermane dhe drejtuese e një projekti për rekrutimin e talenteve të reja: "Nuk kam parë kurrë askënd të luante me gëzimin e saj. Kishte sigurisht shumë aspekte teknike për të përmirësuar, por sjellja e saj gjithmonë pozitive ishte një garanci për të ardhmen”.

Rruga u shenjua që aty, vajza filloi të stërvitej tri orë në ditë për 6 ditë në javë dhe në 2019-ën, pasi fitoi titullin kombëtar në të katër kategoritë, duke përfshirë edhe atë për të rritur, mori pjesë në kualifikueset olimpike për Azinë Perëndimore në Aman. Rrezikoi të tërhiqej për shkak një një inflamacioni në kavilje, që ndodhi për shkak të adaptimit me një dysheme perfekte.

Hend Zaza me dy trofe të fituar. Gazeta Si, 23 korrik 2021

Ajo ishte mësuar me çimenton e klubit të saj, por në fund ia doli në finale ndaj libanezes Mariana Sahakian, që ishte 42 vjeç. "Ia dedikoj vetes dhe familjes sime, ëndrra tani është të ngjitem në pod në Olimpiadën e Parisit", - ka thënë Zaza. Pa harruar studimet: "Në moshën time, presioni i shkollës është relativ, por kam nevojë për një program që më lejon të mos heq dorë nga sporti". Kështu, për ta lejuar të stërvitet pa pasur probleme me shkollën, babai i saj ka kontraktuar mësues privat. Libra dhe medalje: romanca e Hend sapo ka nisur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë