Makina

Personalizimi i targave / Nga ky muaj mund të kombinohen 5-7 shkronja dhe numra

Nga Gazeta Si- Duke nisur që nga ky muaj, drejtuesit e mjeteve do të kenë mundësi të personalizojnë targat e makinave të tyre kundrejt tarifave speciale. Do të mundësohen kombinime me 5 deri në 7 karaktere të cilat do të përfshijnë minimumi dy numra dhe hapësira standarte.

Bledi Gonxhja, drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) me anë të një postimi në rrjetin social Facebook tregon se do të ndalohen fjalë apo kuptime të caktuara nga pikëpamja etike.

“Censura do të ndalojë fjalë apo kuptime të caktuara, nga pikëpamja etike, ndërsa kombinimet që do të konsiderohen të rralla, unike, me vlera interesi të gjerë do të ofrohen në ankandin periodik që DPSHTRR do të zhvillojë për targat edhe më speciale (kombinimet me 4 karaktere e poshtë dhe me vetëm numra apo gërma, fjalë/emra të plota, me prokate të veçanta do të jenë vetëm me ankand publik e transparent”, shkruan Gonxhja.

Ai shtoi se targa e personalizuar mund të mbartet nga drejtuesi i mjetit edhe në makinën e re të cilën mund ta blejë, duke paguar një tarifë përkatëse të transferimit.

“Ky shërbim i ri shoqërohet me të drejtën e blerësit që ta mbartë këtë targë te një mjet tjetër, më të ri, kundrejt tarifës përkatëse të transferimit”, shtoi Gonxhja.

Sipas tij, të ardhurat nga ky shërbim, do të shkojnë për përballimin e shërbimeve jetike për qytetarët, projektet edukuese mbi trafikun dhe sigurinë rrugore dhe modernizimin e sistemeve dhe infrastruktruës së shërbimeve që ofron DPSHTRR.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë