Politike

‘Përshkallëzim dhe protesta në të gjithë Shqipërinë’, Flamur Noka: Bashkimi është imediat

Nga Gazeta 'SI' - Të hënën pasdite, PD e drejtuar nga Sali Berrisha u ka bërë thirrje qytetarëve për bashkim me protestën e deputetëve para Parlamentit. “Protesta e së hënës është vetëm fillimi. Ajo do të zgjerohet në të gjithë Shqipërinë dhe jo vetëm para Parlamentit.”- tha Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka në një intervistë për Gazetasi.al.

I përjashtuar shumë herë nga punumet e Parlamentit dhe i vetmi deputet me masë 2 mujore ndëshkimi, zoti Noka thotë se arsyeja e vetme e protestës është mbrojtja e të drejtave kushtetuese të opozitës. “Po përjashtohemi nga Kuvendi për arsyen e vetme se refuzojmë të shesim opozitën tek kryeministri. Qytetarët e dinë se maxhoranca nuk mbron interesat e tyre, por është vetëm një noter i akteve korruptive të Edi Ramës.- u shpreh Flamur Noka, i cili beson se nuk ka vend për kthim pas dhe as për alternim qendrimesh, herë me pjesëmarrje, herë me protestë, siç kanë propozuar disa deputetë në grupin parlamentar të PD.

“Opozita reale nuk do të njohë asnjë alternim në parlament, përveç alternimit dhe përshkallëzimit të aksionit.”- u shpreh ai, duke vënë mbi gjithçka një proces të vetëm që i shërben opozitës, bashkimin. 

Gazeta Si: Keni lajmëruar një protestë të hënën pasdite para parlamentit për përjashtimin masiv të deputetëve të opozitës nga seancat plenare. Do të jetë një protestë simbolike vetëm e deputetëve apo synoni masivitet me mbështetës? 

Flamur Noka: Të hënën është protestë e qytetarëve për të sensibilizuar shoqërinë se demokracia është në agoni dhe, bashkë me të, edhe parlamentarizmi.  Deputetëve të opozitës po u mohohen të drejtat kushtetuese, po përjashtohen nga Kuvendi për arsyen e vetme se refuzojnë të shesin opozitën tek kryeministri. Qytetarët e dinë se maxhoranca nuk mbron interesat e tyre, por është vetëm një noter i akteve korruptive të Edi Ramës. Ka ardhur koha që aksioni të zgjerohet dhe të shkojë nga parlamenti, nga deputetët tek qytetarët. Të hënën pasdite ne presim demokratët e Tiranës që të na mbështesin në protestën tonë të drejtë dhe jetike për çdo shqiptar. 

Gazeta Si: Edhe më herët janë përjashtuar deputetë, por nuk ka patur protesta të tilla. Pse ky ndryshim tani? Apo ka të bëjë me gjendjen nën arrest të ish-kryeministrit Berisha?

Flamur Noka: Vjen një pikë që kupa mbushet dhe pastaj derdhet. Tek ne është derrdhur me kohë. Ne kemi mbërritur në këtë moment, pasi Kryetarja e Parlamentit ka marrë përsipër të bëjë xhelatin e opozitës për llogari të Edi Ramës. Kjo është e vetmja vepër e Lindita Nikollës për të cilën do të mbahet mend. Të dy me Edi Ramën kanë kaluar çdo vijë të kuqe me opozitën. Kanë provuar dhe vazhdojnë me projektin për të kthyer opozitën në fasadë të qeverisë, por do të dështojnë. Prandaj ne po protestojmë. Në lidhje me izolimin e Kryetarit Berisha, ky është një akt tjetër kulmor i projektit të Edi Ramës për të shkatërruar opozitën, por protesta ka në thelb mbrojtjen e lirive tona politike. Të kujtdo. Kur ia mohojnë Sali Berishës, ky pushtet s’e ka për gjë t’ia mohojë çdo qytetari tjetër. Dhe nuk është se nuk e ka bërë. Sistemi i patronazhimit është një formë e mohimit të lirive politike, një mënyrë e përndjekjes, e frikësimit, e shantazhimit për të mos votuar të lirë. Protesta e së hënës është vetëm fillimi. Ajo do të zgjerohet në të gjithë Shqipërinë dhe jo vetëm para Parlamentit. 

Gazeta Si: Zoti Noka, protestat në parlament nuk duket se po ju shpërblejnë. Do të vazhdoni me strategjinë e anormalitetit?

Flamur Noka: Protestat në parlament nuk i kemi për asgjë tjetër përveçse për të kërkuar të drejtat tona dhe ne nuk dorëzohemi! Kërkojmë respektimin e Kushtetutës dhe të drejtave tona. Ne nuk pranojmë të trajtohemi nga Edi Rama si numra kartonash, siç i trajton kolegët e maxhorancës. Ata kanë humbur identitetin, dinjitetin dhe integritetin e tyre për hir të mandatit të deputetit dhe karrierës personale politike. Në këtë kuptim, me protestën tonë, ne ia kemi dalë të provojmë para shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë se Parlamenti ka humbur funksionin kryesor- për t’i shërbyer qytetarëve. Është një mjet në duart e Edi Ramës për t’i shërbyer pushteti të tij. Ajo që kemi mësuar nga historia është se askush nuk ka fituar asgjë pa bërë beteja dhe ne po bëjmë betejën tonë me një regjim që na ka shpallur luftë. Ne do të qendrojmë. Betejën tonë në parlament do ta vazhdojmë derisa të drejtat kushtetuese tona të njihen! Ose do ta gjunjëzojmë këtë regjim, ose nuk meritojmë të jemi! 

Gazeta Si: Ka deputetë në grupin parlamentar që kanë kërkuar një kombinin të protestës me fjalën në parlament. E gjeni me vend këtë propozim?

Flamur Noka: Në betejën tonë nuk ka kthim pas! Kjo do të thoshte dorëzim dhe që ne të pranojmë mohimin e të drejtave që na bën Edi Rama dhe Lindita Nikolla. Si deputetë kartonash ne nuk mund të bëhemi! Është e vërtetë që ka deputetë që kanë marrë vota demokratësh dhe bëjnë fake opozitë, me në krye Lulzim Bashën, por opozita reale nuk do të njohë asnjë alternim në parlament, përveç alternimit dhe përshkallëzimit të aksionit. 

Gazeta Si: Ju po përpiqeni të arrini një proces bashkimi në parti. Por a është normale kjo, kur ende në grupin e PD, shumë deputetë demokratë rezultojnë të përjashtuar?

Flamur Noka: Jemi në fazën përfundimtare të një bashkimi të plotë dhe real. Jo vetëm të grupit parlamentar. Çështja e përjashtimeve dhe çdo çështje tjetër është një çështje që do të gjejë përgjigje shumë shpejt, në menyrë që të mbyllet përfundimisht dhe që ne të ekzistojmë si një trup solid në parlament dhe në betejat politike jashtë parlamentit. Bashkimi është imediat. E kërkon çdo demokrat që na ka votuar dhe na ka mbështetur. Nuk mund të pranojmë asnjë pengesë në këtë rrugë. Rruga e vetme për ne është të bashkohemi përballë këtij regjimi. Të gjithë të tjerat janë artifica, të cilat disa i kemi zgjidhur, dosa do t’i zgjidhim me kohën! Bashkimi është kërkesë imediate! 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë