Futboll

Përsëritje e Milan-Specia? Rregullorja “djeg” kuqezinjtë, nuk kishte gabim teknik

Të përsëritet Milan-Specia? E kotë të flitet, nuk mundet. Edhe pse arbitri e ka pranuar gabimin e tij, kur vërshëlleu para kohe në aksionin që sollin golin e dytë të Milanit, duke mos lejuar avantazhin, ndeshja nuk mund të përsëritet. Kjo teori bie poshtë.

Specia shënoi golin e fitores në minutën e 6-të shtesë, por më parë Milani shënoi golin që do t’i jepte tri pikët dhe që arbitri Serra e “dogji”, duke akorduar një faull në favor të kuqezinjve. Për këtë gabim fatal të arbitrit, Milanit i kërkoi ndjesë publikisht edhe sektori i arbitrimit.

Sipas rregullores, në fakt, nuk mund të flitet për gol të anuluar, sepse topi shkoi në rrjetë pas vërshëllimës së arbitrit, pra me lojë të ndërprerë. Gjithçka që ndodh më pas, sipas rregullores, është sikur të mos ketë ndodhur. Gabimi qëndron në faktin se arbitri nuk lejoi avantazhin, siç ndodh normalisht në ato situata.

A mund të ndërhynte VAR-i? Jo, sepse është një episod që nuk futet në kompetencat e tij, sipas asaj që parashikon protokolli. Ndeshja ndërkohë përsëritet vetëm për një gabim teknik dhe Milan-Specia nuk mund të luhet për herë të dytë, sepse gabim teknik nuk kishte. Serra ka bërë një gabim interpretimi të lojës, por jo një gabim teknik. Nuk ka asnjë shkelje të rregullores.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë