Kosova

Përse Kosova nuk i pranon vaksinat ruse dhe kineze

Edhe pse është vendi i fundi që ka marrë vaksina në Europë, Kosova duket e prerë për të mos vaksinuar asnjë qytetar me vaksinë ruse dhe kineze. Kryeministri Albin Kurti duket se po ndjek të njëjtën strategji si paraardhësi i tij Avdulla Hoti, duke refuzur ndryshe nga Shqipëria dhe vendet e t tjera të Ballkanit, vaksinat nga vendet e Lindjes edhe pse ndodhet mes një rritje të shpejtë të rasteve me Covid-19.

Kurti njoftoi të hënën se Shqipëria mori përsipër që të vaksinojë mësuesit e Kosovës, duke theksuar se ky proces ka ngecur për shkak se Shqipërisë i kishin mbaruar vaksinës Pfizer ose AstraZeneca dhe Kosova nuk pranon që mësuesit të vaksinohen me vaksinat kineze ose ruse.

“Kam qenë në kontakt me kryeministrin e Shqipërisë lidhur me çështjen e vaksinimit në Kukës ku kemi kërkuar që kjo tu mundësohet edhe mësimdhënësve, jo vetëm punëtorëve shëndetësorë, por nuk mund ta bëjmë këtë me vaksinat ruse ose kineze. Në parim duhet ta kemi parasysh se Republika e Kosovës duke qenë se nuk njihet nga jo pak shtete në botë në mesin e të cilave janë edhe dy fuqitë e mëdha që janë dhe anëtare të Këshillit të Sigurimit, nuk e ka komoditetin e pranimit të vaksinave gjithandej siç po bëjnë disa shtete të tjera”, tha Kurti.

Sipas tij, stuata në këtë aspekt është më delikate për Republikën e Kosovës sesa të gjitha vendet e tjera të rajonit. “Orientimi ynë është europian dhe euroatlantik me shtete të cilat na kanë njohur prandaj dhe kemi rezervën tonë, skepticizimin tonë dhe qëndrimin tonë të qartë karshi ofertave të ndryshme që do të mund të na vijnë nga shtete që nuk na njohin jashtë Europës”, deklaroi kryeministri.

Kurti e kishte bërë të qartë se ishte kundër vaksinave nga Lindja edhe gjatë fushatës elektorale, duke deklaruar se kjo do ta bënte Kosovën të binte në kurthin e Serbisë dhe Rusisë. Sipas tij, vaksinat ruse dhe kineze shoqërohetn me pasoja gjeopolitike dhe Kosova do të qendrojë prapa aleatëve. "Jo, nuk do të marrim vaksina nga Serbia, e cila merr vaksinat nga Rusia dhe Kina. Si për nga vlerat ashtu edhe për nga interesat, orientimi ynë ka qenë gjithmonë drejt Perëndimit. Ne nuk duam të zëvendësojmë BE-në dhe SHBA-në me ndonjë fuqi lindore jodemokratike, sepse është provuar se nuk ka siguri në lidhje me cilësinë, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, ka gjithmonë kushtëzime në formë të lojërave gjeopolitike", deklaronte ai.

Këto deklarata kanë ngjallur jo pak reagime në Kosovë, ku vetëm dje u vendosën masa të reja për të frenuar pandeminë. Kosova ka marrë vetëm rreth 20 mijë doza nga mekanizmi Covac i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duke mbetur shumë më prapa se vendet e tjera të rajonit.

Megjithatë, Kosova e bëri të qartë që në kohën e kyeministrit në detyrë, Avdullah Hoti se dnuk do të hyjë sic tha ai në lojëra politike për të sjellë vaksina nga vendet e lindjes. Edhe ekspertët e sigurisë bëjnë thirrje që vaksinat që nuk kanë marrë miratimin e BE-së të mos pranohen. Pak para zgjedhjeve, ai kishte deklaruar se Kosova nuk do të marrë asnjëherë vaksinën ruse.

Ai ka thënë se Prishtina nuk do marrë vaksinën as nga Serbia dhe as nga Rusia, përkundër presionit që po bëhet.

“Jemi të vetëdijshëm edhe për presionin e qytetarëve të vendit tonë për vaksinim edhe nga shtetet tjera, sidomos të qytetarëve serbë, por ne e kemi bërë të qartë dhe e kemi theksuar dhe ka qenë dhe mbetet zotim i yni se nuk do të marrim vaksina nga shteti i Serbisë, as nga Rusia, pavarësisht presionit që bëhet nga vendet tjera të rajonit”, ka thënë ai.

Edhe njohës të çështjeve të sigurisë bëjnë thirrje që vaksina ruse të mos pranohet në asnjë mënyrë nga institucionet e Kosovës. Eksperti i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi thotë se është mirë që Kosova nuk ka pranuar të vaksinojë qytetarët e saj me vaksinën ruse.

Helmimet dhe metodat e tjera të shërbimeve sekrete ruse, sipas Ibishit, janë fakte të mjaftueshme për të mos i besuar kësaj vaksine.

“Edhe Shqipëria ishte deklaruar fillimishr kundër. Ne duhet të jemi të vëmendshëm, sidomos për një vend si Rusia që nuk plotëson në standardet evropiane të vaksinës”, tha Ibishi.

Nga ana tjetër, duke folur për vaksinën kineze Sinovac, Sami Uka, këshilltari politik i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur për mediat se ajo kjo vaksinë nuk është e licencuar nga EMA.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu i thotë se Prishtina nuk duhet të pranojë vaksinat ruse dhe kineze edhe sikur t’i jepen falas.

“Kosova në asnjë mënyrë nuk duhet t’i pranoj këto vaksina që vijnë nga Rusia dhe Kina. Në fakt, ato mund t’i ofrojnë edhe falas. Mendoj se duhet të bëjmë rezistencë sepse Kosova ka një histori të hidhur me barna dhe me vaksina që vijnë nga Serbia dhe Rusia”, thotë ai.

Duke kujtuar helmimet masive të nxënësve në Kosovë nga Serbia, ai tha se me të tilla substanca kimike edhe kjo vaksinë rrezikon efekte të mëdha anësore. Sipas tij, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, Rusia sa herë ka dalë me opsione të kundërta me Perëndimin, por gjithmonë ka dështuar, prandaj shprehet i bindur se Kosova do të marrë dozat e nevojshme nga SHBA-ja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë