Rend dhe Ligj

Përse dështojnë aksionet kundër drogës? Flet gruaja që kërkoi ndihmë në polici

Një informator i tregoi policisë se si një shpërndarës kokaine në zonën e ish-bllokut po përdorte formula nga më të pabesueshmet për t’u shërbyer kokainë përdoruesve të shumtë. “Ky shtetas përdor platformën Whats App, Instagram, e fsheh drogën në lulishte apo në kasetat e matësve të ujit apo të energjisë elektrike”, ju tha policisë nga një shtetas që solli më pas organizimin e antidrogës në zonën e ish-bllokut. Por ndonëse nga vëzhgimi i mëpasshëm i dyshuari që shpërndante kokainë në bllok u monitorua, ai ia doli paq të mos zbulonte bashkëpunëtorin e tij, që nuk u arrit as të kapej dhe as të identifikohej. Për rrjedhim para drejtësisë doli vetëm K. X një 22-vjeçar, i dënuar më parë. Nga studimi i akteve përshkruhet në dosjen që gazeta Si disponon u mblodhën informacione se 22-vjeçari shiste kokainë në ish-bllok, pasi furnizohet nga një person tjetër i paidentifikuar. Bashkëpunëtori i tij e furnizon me sasi 40 gramë që ndahet në njësi 0.3 gramë që ambalazhohen në qese të vogla me djegie dhe përfundojnë te përdoruesit për një dozë 3500 lekë të reja. Për ndarjen e dozave sipas informatorit, i dyshuari përdor banesën e tij ku dhe mban paratë e fituara. Por pavarësisht këtij informacioni të rëndësishëm, policia ka dështuar me sukses dhe nuk ka shkuar deri te furnizuesi, por është mjaftuar vetëm me shpërndarësin, duke mbyllur kështu zinxhirin që duhej të çmontohej për shitjen e kokainës.

Nga të dhënat e mjaftueshme të antidrogës thuhet se i dyshuari që më pas përfundoi nën arrest ose komunikonte fizikisht me porositësit ose përmes telefonit ku i tregonte vendin se ku e fshihte dozën e kokainës. “Shitjen e kokainës e realizon duke shfrytëzuar konstruksionin e zonës së parkingut tek ish-blloku. Ai e fsheh drogën në lulishte në kasetat e matësve në pallatet rreth kësaj zone dhe i orienton përdoruesit përmes platformave virtuale”, detajon për policinë informatori sipas të cilit ka raste që ai i mban në gojë dozat e kokainës të mbështjellë me qese. “Pasi i shet sigurohet që nuk ka njerëz rrotull dhe shkon merr të tjera”, këmbëngul informatori në shkresën që gazeta Si disponon. Madje sipas tij personi që e furnizon  sigurohet që në zonën që shet shpërndarësi i tij të mos shesin persona të tjerë dhe ndërhyn kur ka mosmarrëveshje për shitjen e kokainës.

Por...

Por edhe pse informacioni është i mjaftueshëm, policia ka dërguar para prokurorisë vetëm shpërndarësin më të papërfillshëm në këtë rrjet të shpërndarjes së kokainës. Ndonëse nuk jepen detaje pse dështoi ky aksion në dosje raportohet “për dokumentimin e veprimtarisë së këtij shtetasi u ngritën shërbime në zonën e quajtur parkingu, ku u konstatua K. X. Ndërsa ai po qëndronte aty u afrua një person i panjohur, me të cilin bisedoi dy-tre minuta dhe në një moment futi dorën në xhep dhe i dha diçka shtetasit K. X, i cili e mori me shpejtësi. Në këtë moment K. X vështroi majtas djathtas dhe lëvizi në kryqëzimin drejt Sami Frashërit, pastaj çoi dorën në fytyrë dhe i dha diçka një personi. Nga ana e policisë u bënë përpjekje për ta ndjekur personin tjetër, i cili për shkak të mbipopullimit dhe pamjaftueshmërisë së efektivëve në operacion nuk u bë e mundur ndjekja e tij në vijim”.

Sipas raportit të shërbimit i vetmi që përfundoi në pranga është 22-vjeçari për të cilin përshkruhen sendet që ju sekuestruan.

“Ju bllokuan katër qese plastike transparente, brenda të cilës kishte material karakteristik si lënda canabis sattiva.

Një letër e verdhë e mbledhur brenda të cilës kishte material në ngjyrë të kuqe e ngjashme me kokainën

një aparat celular  i markës nokia me numër...”.

Qytetarë që denoncojnë

Por dështime të tilla si ky operacion nuk janë të rralla për policinë. Sipas burimeve të gazetës Si shumë banorë telefonojnë shpesh në drejtorinë vendore dhe kërkojnë ndihmë për të shkatërruar bazat e shpërndarjes së drogës, kryesisht shtëpi të marra me qira në katet e para. Por këto kërkesa bien në vesh të shurdhët.

A. D. (me iniciale të ndryshuara) u paraqit në polici në fund të muajit gusht, pasi në  pallatin ku jeton, gjendet një servis makinash dhe ngjitur këtij biznesi është edhe një lokal. Gruaja e cila lutet të mos tregohet as lagjja ku jeton, pasi ka frikë mos tradhtohet nga policia tregon për gazetën Si “Shkova në polici. Takova një nga ata shefat, më priti meqenëse edhe unë punoj në shtet. I tregova shqetësimin dhe se si të dyja bizneset plotësojnë njëra-tjetrën për të mos u zbuluar pasi aty shpërndahet drogë”, pohon qytetarja. Ajo vendosi të bëhet “spiune: duke kërkuar ndihmë, por jo sepse ishte e shqetësuar për rendin dhe sigurinë publike, por pasi ka të birin në moshë të re dhe kishte frikë se mos e rekrutojnë ose si shpërndarës ose si përdorues”. Por qytetarja nuk pranoi që të dhënat e saj të mbaheshin me protokoll, ajo i dha informacion zyrtarit duke e orientuar miqësish për çfarë ndodhte në lagjen e saj, dhe kur doli asaj iu premtua të qëndronte e qetë.

“Pas këtyre informacioneve, të nesërmen policia mbërriti për kontroll i pashë nga ballkoni dhe ajo që vërejta ishte për të ardhur keq. Gjithçka dukej krejt normale, poshtë nuk kishte zhurma, ishte qetësi, as të rinj apo persona të çuditshëm që blejnë drogë hapur dhe largohen pa asnjë frikë”.

E gjitha kjo skemë e ka bindur gruan se në disa raste policia ka dijeni për bazat e shpërndarjes së drogës, që sipas saj nuk janë persona të zakonshëm por me mbështetje. “Më fal por s’ma heq askush nga mendja, policia është në tavë”, akuzon gruaja sipas të cilës  për qytetarin është e rrezikshme të tregojë kur shikon krime të tilla, pa marrë parasysh edhe riskun që duhet të ndërmarrë në rast se tradhtohet.

Por a mund të ketë ndodhur që emri i saj t’u jetë thënë trafikantëve në lagje?

“Jo nuk e mendoj këtë gjë, as e dyshoj, por mendoj këtë tjetrën. Mendoj që disa paguhen me tarifa mujore dhe e kam fjalën për shefa policie, të cilëve u jep informacion dhe e vdesin një dosje ose i njoftojnë për të ngritur vlerën e tarifës që marrin dhe më pas dërgojnë vartësit e tyre, të cilët pa qenë në dijeni se çfarë ndodh kryejnë një kontroll sa për të thënë dhe largohen pa rezultate”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë