Futboll

Përplasje te Juventusi, Emre Çan: Sarri s’u tregua burrë, do kisha ikur

Përjashtimi i mesfushorit Emre Çan dhe sulmuesit Mario Manxhukiç nga lista e Ligës së Kampionëve nga Juventusi ka sjellë një reagim të fuqishëm nga futbollisti gjerman, para të cilit stafi teknik i bardhezinjve ka preferuar Matuidi dhe Khedira. "Nuk di çfarë shpjegimi t’i jap. Pata një telefonatë të shkurtër, më pak se një minutë, nga trajneri Sarri, - ka thënë Emre Çan në grumbullimin e kombëtares gjermane. – Është një zhgënjim i madh për mua, jam i shokuar dhe i nervozuar. Nëse do ta kisha ditur, nuk do të qëndroja te Juventusi, do të flas me drejtuesit e klubit”.

Ish-lojtari i Liverpulit nuk e ka fshehur zhgënjimin si për vendimin e marrë nga stafi teknik, ashtu edhe për mënyrën si iu komunikua. Emre Çan nuk e ka përjashtuar marrjen e ndonjë vendimi të befasishëm, që do të ishte largimi nga Juventusi.

"Dua të luaj në Ligën e Kampionëve, klubi javën e kaluar më premtoi diçka tjetër. Kisha folur me skuadra të tjera dhe mund të luaja në Champions, Sarri nuk u tregua i sinqertë me mua. Nëse do ta kisha ditur këtë vendim, nuk do të qëndroja te Juventusi. Do ta mendoj dhe do të bisedoj me klubin dhe agjentin tim”, - ka shtuar gjermani. Merkatoja është ende e hapur në Portugali, por skenari më i mundshëm është që mesfushori t’i japë lamtumirën Juventusit në merkaton e dimrit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë