Politike

Përplasja për HEC-et, Meta në mbrojtje të Vjosës, Rama i kujton Valbonën

Presidenti Ilir Meta është rreshtuar në krah të ambientalistëve dhe studiuesve shqiptarë e të huaj që i kërkojnë Qeverisë ndaljen e projekteve për ndërtimin e hidrocentraleve në Lumin e Vjosës.

Nga Tepelena, ku mori pjesë në përurimin e hapjes së “Vjosa Research Center”, Presidenti i kërkoi Qeverisë që ta shpallë Vjosën Park Kombëtar.

“Unë shpresoj që qeveria të marrë në konsideratë serioze si peticionin e nënshkruar nga 776 shkencëtarë nga e gjithë botë, në mbrojtje të Lumit Vjosa, ashtu edhe konkluzionet e nxjerra nga tryeza e djeshme, që iu dorëzuan Presidentit të Republikës dhe që do të dërgohet pranë të gjitha institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare që merren me këtë çështje”, është shprehur ndër të tjera Presidenti Meta.

Aktivizimi i Presidentit në mbrojtje të këtij lumi mbërrin në një kohë që pritet nga dita në ditë që Ministria e Mjedisit të publikojë raportin mbi ndikimin në mjedis të projektit për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit.

Ky aktivizim i Presidentit ka “tërhequr” vëmendjen e Kryeministrit Edi Rama, që i kujton Presidentin periudhën e bashkëqeverisjes me Sali Berishën në 2009-2013, kohë kur u dhanë edhe lejet për ndërtimin e HEC-eve mbi Valbonë.

“Jam dakord me Ilir Metën që e ardhmja nuk është shkatërrimi, po sa mirë do kishte qenë sikur ta kishte mbrojtur Valbonën nga shkatërrimi kur ishte zv.shef i qeverisë së Saliut, siç mbron sot Vjosën nga rreziku imagjinar i hidrocentraleve që nuk do të ndërtohen!”, shkruan Rama.

Rama thotë se Qeveria i ka sprapsur projektet për HEC-e në Vjosë dhe Qeveria do të përfshijë në zonën e parkut kombëtar edhe pjesën e poshtme të lumit.

“Qeveria jonë e ka shpallur Park Kombëtar Vjosën e lartme. Ministria jonë e Mjedisit ka refuzuar zyrtarisht të japë leje për projekte HEC-esh në Vjosën e poshtme që do të integrohet me Parkun! Vala shkatërruese e qeverisë së vjetër mbi lumenjtë në tërësi është zmbrapsur ka kohë!”, vijon Kryeministri.

Meta, Ramës: E duam Vjosën! Arroganca, korrupsioni dhe marrëzia nuk do mundet ta tjetërsojë dot

Presidenti Ilir Meta nuk ka ngurruar që t'i kthejë një përgjigje kryeministrit Edi Rama për akuzat e bëra për lumin Vjosa.

“E duam Vjosën dhe do ta mbrojmë!”. Ky ka qenë mesazhi i presidentit Ilir Meta nga lumi i Vjosës.

“Me ekipin e paparë të çunave të ‘Vjosa Rafting Albania’ dhe ‘Vjosa Explorer’.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/photos/a.1479540228758912/3383098355069747

Një trashëgimi natyrore kombëtare me rëndësi të jashtëzakonshme dhe potencial të madh turistik që arroganca, korrupsioni dhe marrëzia nuk do mundet ta tjetërsojë dot!”, shkruan presidenti Meta në “Facebook”.

Duke iu kundërpërgjigjur kryeministrit Edi Rama, kreu i shtetit theksoi se Vjosa është një trashëgimi natyrore kombëtare me rëndësi të jashtëzakonshme dhe potencial të madh turistik që sipas tij arroganca, korrupsioni dhe marrëzia nuk do mundet ta tjetërsojë dot.

E duam Vjosën dhe do ta mbrojmë!


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë