Drejtësia

Gjykata e Lartë pezullon punimet për ndërtimin e HEC-eve në Valbonë

Gjykata e Lartë ka pezulluar punimet për  HEC-et në lumin e Valbonës. Në një vendim të publikuar në faqen e saj, Gjykata e Lartë ka pranuar kërkesën e banorëve të 27 fshatrave të Bashkisë Tropojë, për kundërshtimin e projektit të ndërtimit të 2 hidrocentraleve “Dragobia” dhe “Çerem” në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës nga shoqëria koncesionare “Dragobia Energy SHPK.”

Trupi gjykues i Kolegjit Administrativ, i përbërë nga Sokol Sadushi, Ilir Panda dhe Sokol Binaj, vendosi në dhomë këshillimi pezullimin e kontratës së koncesionit dhe shtesave të saj dhe lejeve të përmendura në pikat 3-6 të objektit të kërkesë-padisë, deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes me vendim të formës së prerë.

Gjykata e Tropojës shpalli moskopetencën, lidhur me këtë çështje, duke e dërguar kërkesë-padinë në Gjykatën Administrative në vitin 2017, ndërsa këtë të mërkurë, Gjykata e Lartë ka marrë vendimin, duke pezulluar ndërtimin e HEC-eve.

Beteja kundër betonizimit të Valbonës ka nisur që në vitin 2015. Banorët e 27 fshatrave të Tropojës kanë denoncuar falsifikimin e procesverbaleve të konsultimit me publikun, që ishin pjesë e dokumentacionit të kompanive që morën të drejta për HEC-et në Valbonë. Kompanitë kanë paraqitur dokumentacion sikur banorët ishin dakord për ndërtimin e HEC-eve.

Vendimi i Gjykatës së Lartë

Në listën e personave që kishin firmosur u vu re se kishte edhe individë të cilët kishin vdekur më herët se sa mbajtja e procesverbalit, ashtu sikundër kishte të tjerë që e mohonin se kishin qenë të pranishëm për të firmosur.

Krahas betejës ligjore, që nga viti 2015 ka pasur protesta dhe rezistencë nga banorët e Dragobisë, të cilët kanë kundërshtuar ndërtimin e HEC-ve. Në disa raste janë bllokuar edhe rrugët, sidomos pas shpërthimeve të kryera prej kompanive, duke shkarkuar dëme në shtëpi dhe rrjet elektrik.

Banorët pretendojnë se HEC-et dëmtojnë zonën turistike të Valbonës, ndaj dhe u vendos që punimet të pezullohen deri në një vendim të formës së prerë për këtë çështje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë